Politologu Shkodran Ramadani, ka komentuar diskriminimin boxhetor që Qeveria e ka bërë ndaj komunave të opozitës.
Ramadani këtë e ka vlerësuar si apharteid politik.
Tutje, ai tha se Qeveria i ka ndarë qytetarët në kategori sipas përkatësisë politike, ata që janë me vetëvendosjen dhe ata që janë kundër Vetëvendosjes.
Postimi i tij i plotë:
Me këtë ndarje të paprecedentë buxhetore, Vetëvendosje ka vendosur apartheid politik në Kosovë.
Ata i kanë ndarë qytetarët në kategori sipas përkatësisë politike: ata që janë me Vetëvendosjen dhe ata që janë kundër Vetëvendosjes.
Për ata që e njohin me themel këtë parti, nuk është fare befasi që situata ka ardhur në këtë pikë.
Trajektorja ka qenë e qartë.
Kjo është partia që ka garuar me slloganin “KREJT DHE DREJT”, duke e ndarë shoqërinë në ata që votojnë VV-në (të drejtët) dhe ata që nuk e votojnë VV-në (të padrejtët).
Rrjedhimisht, kjo nuk është diçka e re, por vetëm klimaksi i një procesi shumë më të gjatë.
Duke u bazuar në këtë ndarje,” të padrejtët” nuk meritojnë të trajtohen si të barabartë me të “drejtët”.
Derisa “të drejtët” duhet të vjelin frytet, benefitet e privilegjet e pushtetit, të padrejtët duhet të paguajnë çmimin për padrejtësitë e tyre.
Ai që në shikim të parë dukej si thjesht një sllogan normal politik, në fakt ishte një projekt politik që në fetusin e tij mbante një përbindësh të pangopur me persekutim të rivalëve, kritikëve e të mosbindurve.
Kësisoj, nga 14 shkurti i 2021 Kosova i është nënshtruar jo vetëm një propagande të egër gënjeshtrash e linçimesh, por edhe një logjike segreguese që tashmë ka penetruar çdo praktikë institucionale, duke përfshirë edhe planifikimet buxhetore në gjithë Republikën e Kosovës.
Kështu, monstrumi i krijuar me vite, i ndërsyer nga mbështetja masive me votë, sot përndjek e terrorizon qyetarët, komunat e komunitetet që nuk e votuan partinë në pushtet.
Ata që nuk gëlltitën dot gënjeshtrat e tyre sot në krahët e tyre bartin nga një shenjë dalluese.
Siç thotë Emil Dyrkemi, mes tjerash edhe studies i madh i funksionit të Stigmës në shoqëri, të ndëshkosh është të qortosh, është të fajësosh.
Kështu, në çdo kohë, forma kryesore e dënimit ka qenë futja e fajtorëve në listën e zezë, mbajtja e tyre në distancë, izolimi i tyre, krijimi i një vakumi rreth tyre, dhe veçimi i tyre nga njerëzit që i binden ligjit.
Zërat kundërshtues konsiderohen si një popullsi kokëçarëse që duhet nënshtruar dhe “korrigjuar”.
Zbatimi i kontrolleve të rrepta të sjelljes dhe sanksioneve paternaliste mbi kritikët, e jo respektimi i demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, bëhen standardi i qeverisjes së mirë.
Kështu, qeveria, nga një institucion që i shërben të gjithëve, shndërrohet në një institucion penal vetëm për disa.
Me qëllim që të arrihet modifikimi i sjelljes, votuesit e partive tjera bëhen target i prezumimit praktik se ata janë “fajtorë derisa të vërtetohet se janë të pafajshëm”.
Me rigorizitet të pagabueshëm, sjellja e tyre duhet të mbikëqyret nga afër, si dhe të korrigjohet përmes vendosjes së stigmës, masave kufizuese dhe shtrënguese.
Kështu, të goditur nga një stigmë morale, votuesit e partive tjera, në fjalët e Loic Ëacquant, e kanë flakur veten përtej perimetrit të qytetarisë së përgjegjshme dhe bëhen llumi i shoqërisë.
Ata formojnë një kategori sakrifice që mund të përbuzet dhe poshtërohet jo vetëm pa u ndëshkuar, por edhe me përfitime të pafundme simbolike e materiale.
Kështu, politika qeveritare e kriminalizimit të votimit për partitë e tjera, e gjen shtrirjen e saj kulturore në një diskurs publik të neveritjes.
Veteranët e luftës, mësuesit, policia, minatorët dhe shtyllat e tjera të shoqërisë bëhen objektiva të penalizimit.
Autoritetet më të larta të vendit marrin pjesë në një narrativë që i përshkruan ata si mishërim i së keqes absolute – antiteza e gjallë e “Kosovës së Vetëvendosjes”, karantinimi i të cilëve luan rolin e ekzorcizmit kolektiv që dëbon demonët larg nga çdo benefit simbolik e material.
Kjo kulturë e përhapur e dënimit përjetëson një mjedis ku mospajtimi jo vetëm që dekurajohet, por edhe demonizohet në mënyrë aktive, duke krijuar një efekt demoralizues mbi çfarëdo forme të kundërshtimit ndaj partisë sunduese.
Skuadrilet e pushtetit në dyert e të pabindurve kanë vizatuar X-a të mëdhenj, në mënyrë që t’ua lehtësojnë eprorëve të tyre politikat diskriminuese.
Veteranët tani kanë X-in e tyre. Mësuesit kanë X-in e tyre. Minatorët kanë X-in e tyre. Policët kanë X-in e tyre.
80% e komunave, përjashto ato të udhëhequra nga Vetëvendosje dhe Lista Serbe, e kanë X-in në dyert e tyre.
Në krejt këtë situatë të vështirë, bën dritë një shkëndijë shprese: propaganda e tyre për të mashtruar njerëz ka humbur çdo vitalitet.
Kjo edhe është arsyeja pse Vetëvendosje ka abdikuar nga synimi që, përmes teknikave të të bindurit, t’i bëjë për vete qytetarët dhe i ka përvjelur mëngët për t’i penalizuar ata.
Aty ku vizatohet kufiri i fundëm i retorikës së tyre, shfaqet kufiri fillestar i teknologjive të tyre të ndëshkimit.
Sot, kjo parti preokupimin e vetëm e ka akomodimin e serbëve të Kosovës përmes themelimit të Zajednicës dhe ndarjes së dhjetëra miliona eurove për t’ua paguar rrymën, ndarjen e buxhetit për komunat ku ata udhëheqin, vjeljen e tenderëve dhe punësimin e militantëve dhe familjarëve partiakë me paga marramendëse.
Pyeteni Martin Berishajn, Ridvan Muharremin e Gani Jakupin për dhuratat që ua solli babadimri.
Krejt këto janë dëshmi të qarta që vota për ta është votë e gabuar dhe kundër interesave të Kosovës.
Ky është argument që vendimi për të mos i votuar ata është vendimi i vetëm i drejtë qytetar.
Normaliteti politik në këto kushte është normalizim i kësaj logjike segreguese, diçka që njerëzimi shumë kohë më parë e ka çnormalizuar.
E nëse logjika segreguese nuk është e pranueshme askund në botë, pse duhet të jetë e pranueshme për ne?
Prandaj, është e qartë se koha për mosbindje civile, për protesta e revoltë qytetare kundër këtij pushteti po troket në derë.
Dilema e vetme është: kur do të fillojë kjo?