Lajme

Rama: Shqipëria, vendi i nderit në panairin e turizmit ITB Berlin

By GAZETA SCANNER 1

August 27, 2024

Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vitin e ardhshëm vendi i nderit në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin”.

Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim CEO-n e Messe Berlin, Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin, Deborah Rothe. Në takimin e zhvilluar në Kryeministri ishte e pranishme dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Me Mario Tobias, bosin e Qendrës së Panaireve të Berlinit, ku mbahet edhe panairi më i madh në botë i turizmit “ITB Berlin”, si edhe me Deborah Rothe, drejtuesja e ITB, për të diskutuar hapat e bashkëpunimit në funksion të edicionit të vitit të ardhshëm të panairit të turizmit, ku Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit, duke fituar pozicionin qendror në panair dhe mbështetjen e ITB për promovimin e turizmit shqiptar në një zinxhir të tërë aktivitetesh që kulmojnë në mars 2025 në shfaqjen e madhe të Berlinit”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se ky është një vlerësim i paimagjinueshëm deri disa vite më parë dhe një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike.