Pas ngjarjes tragjike të një jave më parë ku u vra pranë shkollës “Fan Noli” 14-vjeçari Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur nga gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet, konsultimin publik me prindër, mësues, për të parandaluar shfaqjet e dhunës tek të miturit, si dhe për të diskutuar mbi aksesin e nxënësve dhe adoleshentëve në platformat sociale TikTok dhe Snapchat.
Sikurse e njoftoi edhe disa ditë më parë, kreu i qeverisë theksoi se ideja për të ndaluar TikTok-un dhe Snapchat-in si dy platforma që janë problematike, është diskutuar prej kohësh.
Të gjitha platformat janë problematike, por këto dyja janë problematike për arsye specifike, është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot dhe që me këtë rast menduam që ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë sepse nuk është kaq bardhë e zi, nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, që e frymëzon, që e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi”.
Rama përsëriti se në fund të dhjetorit do të firmoset marrëveshja për projektin për monitorimin me kamera në shkolla dhe theksoi se çdo prind do të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin duke bërë një kërkesë pranë shkollës.
“Besoj që deri në fund të dhjetorit do të firmosim edhe marrëveshjen, sepse bëhet fjalë për, nga njëra anë një sistem komplet të ri të monitorimit të shkollave me teknologji dhe nga ana tjetër për një financim të konsiderueshëm, që do ta marrim nëpërmjet një marrëveshje me qeverinë e Emirateve të Bashkuara dhe është një sistem i testuar dhe i provuar më së miri në Emiratet e Bashkuara me rezultate të jashtëzakonshme, që faktikisht mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor, të të gjithë jetës brenda mureve të oborrit të shkollës. Çdo prind, në çdo kohë mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin, duke thjeshtë bërë një kërkesë pranë shkollës dhe çdo lloj situate jashtë disiplinës mësimore është e regjistruar”.
Rama njoftoi gjithashtu se kontrolli digjital do të përfshijë edhe hyrje-daljet nga shkolla të çdo lloj mjeti metalik që fëmijët mund të kenë nëpër xhepa apo çanta,
“Tjetra që është e rëndësishme, po e kombinojmë me element plus të vendosjes së një kontrolli digjital të të gjitha hyrjeve dhe daljeve nga shkolla për çdo lloj mjeti metalik ose telefon, ose çdo lloj gjëje tjetër që fëmijët mund të kenë nëpër xhepa, nëpër çanta, e kështu me radhë në mënyrë që të zbatojmë strikt rregullin e vendosur, por që nuk mund të themi se zbatohet në mënyrë strikte të ndalimit të celularëve në shkollë”.
Sipas Ramës, problemi i dhunës është më i gjerë sesa kaq. Ai theksoi se ngjarja tragjike e ndodhur disa ditë më parë dhe një moment për të reflektur dhe për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentat parandaluese.
“Nuk është thjeshtë çfarë ndodh brenda mureve të shkollës. Ky problem është shumë përtej policisë, nuk është thjeshtë çështje policie dhe mbi të gjitha ky problem është jo vetëm brenda mureve të shtëpisë, që të gjithë ata që kanë fëmijë në një moshë para adoleshencës apo në adoleshencë e dinë shumë mirë se çfarë lloj beteje është me ato mrrokllat, as vetëm brenda mureve të shkollës, por edhe në hapësirën mes të dyjave, në të gjithë ndërveprimet e tjera mes të dyjave dhe s’dua të zgjatem më shumë që t’ju them që vetëm sikur për një moment të imagjinonim që atmosfera e mbingarkuar, me gjuhë të egër, me sjellje të egër, që përcillet përmes kanaleve mediatike të zbutej, të ishte një zbutje e përgjithshme. Por këtë s’është se e kemi shumë në dorë dhe nuk e di se çfarë ilaçi ka”.