Lajme

Rama nga Selaniku: Vorio Epiri term i vdekur, absurd ndalimi i gazetarëve në kufi

By GAZETA SCANNER 1

November 03, 2024

Vorio Epiri është një term i vdekur me kohë dhe me vakt.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga takimi me diasporën shqiptare në Selanik.

Numri një i Qeverisë u shpreh se ky term ka vdekur bashkë me çdo ëndërr dhe kush e përdor atë sot kur flet për Jugun e Shqipërisë, tregon pafuqinë e vet për të jetuar në shekullin e XXI.

“Këto janë fosile për gjynah nuk duhet të ushqejnë ndenja brenda nesh, ndjenja jo miqësore”, shtoi ai duke theksuar se Greqia është partner i pazëvendësueshëm.

“Ndërsa për ju, shqiptarët e Greqisë, Greqia është shtëpia juaj”.

Rama u ndal gjatë tek incidenti i ndodhur me gazetarët që u bllokuan për disa orë në kufi nga pala greke.

Ai falënderoi ministrin e Jashtëm grek për ndërhyrjen e tij në zhbllokimin e kësaj situate absurde, për të cilën tha se “nuk morën asnjë shpjegim”.

Për kryeministrin një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur më parë dhe se nuk mund të ndodhë asnjëherë për gazetarët grekë në kufirin shqiptar.

E sa i takon çëshjtes, Rama njoftoi se do t’i drejtohet zyrtarisht qeverisë greke për rishikimin e vendimit të vitit 2011 që ndalon gazetarin Marin Mema të hyjë në Greqi.

“Ai nuk ka kryer asnjë krim dhe se puna e tij si gazetar pas historisë së shqiptarëve nuk mund të shërbejë si justifikim për bllokimin e lirisë së tij të lëvizjes”.

Kryeministri e cilësoi këtë masë një veprim ekstrem antidemokratik, që bie ndesh me vlerat dhe parimet e komunitetit evropian.

“Nëse këndvështrimi i tij i historisë është i ndryshëm, ky s’mund të jetë shkak për t’i hequr një gazetari lirinë evropiane të lëvizjes. Është masë ekstreme antidemokratike, që bie ndesh me çdo vlerë dhe parim të komunitetit evropian”.