Lajme

Rama në Romë, kërkon ndihmë për rindërtimin e Shqipërisë pas 26 tetorit

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ndodhet në Romë për të marrë pjesë në Forumin ndërqeveritar të bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Europës Qëndrore e Jugore, InCe, që do të zhvillohet ditën e sotme, në ambientet e Ministrisë së Jashtme italiane.

Pas 18 vitesh i takon Italisë të marrë Presidencën e radhës së InCe që përkon dhe me 30-vjetorin e krijimit të këtij forumi.

Ky takim do të drejtohet nga kryeministri italian, Giuseppe Conte e marrin pjesë 17 vende, 9 prej tyre janë anëtare të Bashkimit Europian: Bullgaria, Kroacia, Italia, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia e Hungaria. 5 janë vende në perspektivën e hyrjes në BE si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Hercegovina e Mali i Zi, si dhe 3 vendet e tjera Moldavia, Ukraina e Bjellorusia.

“Romë – Samiti i vendeve të Nismës së Europës Qëndrore (CEI) nën drejtimin e Italisë mike, një mundësi më shumë për të nxitur pjesëmarrjen dhe angazhimet konkrete në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.