Lajmest-slider

Rama: Kosova gaboi që refuzoi Mini -shengenin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë sot se Kosova ka gabuar që nuk ka marrë pjesë në takimin e Mini -shengenit. Këto komente ai i bëri në takimin e tretë të Mini-shengenit Ballkanik, që po mbahet në Tiranë, e ku po marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti malazez Milo Gjukanoviq,

Në deklaratën për media, Rama ka thënë se refuzimin e ftesës së Kosovës e sheh si të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për vendin.

“Nuk do të lodhem së përsërituri që kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd, por është gjithëpërfshirëse dhe e hapur. Nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush. I kemi ftuar edhe në Tiranë sikurse në takimin e mëparshme të gjithë. Refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe përveç kësaj edhe i dëmshëm për vetë Kosovën”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas ftesës që kishte marrë nga Edi Rama për këtë takim e kishte refuzuar , duke e arsyetuar se mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë

“Rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, kishte qenë përgjigjja e presidentit Thaçi.