Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur mendimin se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së mund të sjellë ndonjë gjë të mirë për Evropën.
Gjatë samitit të Komunitetit Politik të Evropës në Budapest, Rama ka theksuar se edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, shumë kishin parashikuar dobësimin e NATO-s, por përkundrazi, ajo u forcua.
“SHBA-ja është SHBA-ja dhe nuk do të thotë se çdo ndryshim politik aty do të jetë keq për Evropën. Mendoj se kjo mund të jetë diçka e mirë për ne”, ka thënë Rama, duke shtuar se situata në SHBA nuk duhet parë si shqetësim për Evropën.
Kryeministri i Shqipërisë ka lënë të kuptohet se, edhe nëse fitorja e Trumpit shkakton ngazëllim, kjo nuk duhet të jetë një arsye për panik, pasi mund të sjellë forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të aleancave strategjike për Evropën.