Op/Edst-slider

Rajmonda Dacaj, vajza që përmes biznesit, bëri zgjidhje për të gjithë fermerët e rrethinës

Gjendja e vështirë ekonomike ka bërë që vendi ynë të shihet më tepër si potencial për të ikur, se për të investuar në të, sidomos kur nw shprehje vijnë të rinjtë.

Megjithatë, disa të rinj kanë vendosur që gjithë potencialin e tyre ta japin në Kosovë, duke bërë kështu zgjidhje jo vetëm për veten dhe familjen e tyre, por edhe për rrethinën ku jetojnë.

E tillë është 25 -vjeçarja nga Irzniqi i Deçanit, Rajmonda Dacaj, e cila, bashkë me ndihmën që i ka dhënë familja, ka arritur që qysh në moshën 18-vjeçare të ketë biznes të saj personal dhe të veçantë.

Rajmonda para më shumë se 6 vitesh ka hapur një pikë grumbullimi të qumështit, duke bërë kështu zgjidhje jo vetëm për familjen, por për të gjithë bashkëfshatarët dhe fermerë të tjerë të interesuar, të cilët janë dëmtuar çdo ditë, duke mos pasur si t’i bëjnë zgjidhje qumështit dhe produkteve që nxirren prej tij.

“Ideja e biznesit realisht ka lindur nga diskutimet e shumta që kemi zhvilluar me prindërit e mi, duke analizuar potencialin dhe nevojën që kanë banorët e fshatit tonë dhe fshatrave përreth. Domethënë kemi vëzhguar se cilat mundësi mund t’i shfrytëzojmë për ta zhvilluar një biznes në vendin tonë. Pas shumë diskutimesh, na ka lindur ideja për ta hapur një pikë grumbulluese të qumështit, në të cilën banorët e fshatit, të cilët mbajnë kafshë shtëpiake dhe kanë shumë qumësht nga i cili nxjerrin produkte të ndryshme me shumë mund, që t’i shesin për të mbërritur deri te përfitimi financiar, tani do ta kishin shumë më të lehtë të arrijnë deri te financat, meqë në këtë pikë grumbulluese do ta dorëzonin qumështin si lëndë të parë, pa u dashur që ta përpunojnë, dhe pastaj t’i presin ditët e pazarit që ta shesin. Kështu, pasi u bë projektimi i kësaj ideje, në tetor të vitit 2013 e bëmë edhe realizimin e saj”, tregon ajo.

Rajmonda tregon se ngritja e kësaj pike grumbullimi nuk ka qenë e lehtë dhe është dashur që babai i saj t’i investonte në të të gjitha përfitimet që i merrte nga puna e tij e parë.

“Babai im ka një profesion tjetër, me përfitimet nga ai ka arritur që të na i mbulojë të gjitha nevojat që i kemi pasur. Ideja për t’u marrë me një biznes ka qenë para se t’i filloja studimet themelore, kështu pra ka qenë vullneti ai që më ka shtyrë për ta pasur një biznes të vogël, dhe me ndihmën e prindërve kam arritur ta realizoj. Dihet se fillimisht duhet pasur një bazë, vend ku mund të zhvillohet puna, mjete dhe pajisje, domethënë për të gjitha këto kanë qenë përgjegjës ata”.

Sipas saj, ky biznes ka bërë zgjidhje të menjëhershme për të gjithë fermerët e rrethinës, të cilët janë dëmtuar duke mos pasur ide ku dhe si ta shisnin qumështin apo produktet e tij, të cilat i fitonin në baza ditore, dhe kësisoj, ky biznes i vogël dhe me ndikim të madh, i ndihmoi ata ta tejkalonin këtë situatë.

“Një numër i caktuar i fermerëve të fshatit dhe fshatrave përreth e dorëzojnë qumështin në pikën grumbulluese, ne bëjmë analizat e nevojshme të qumështit, pastaj kemi kontratë me një kompani tjetër e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e produkteve të qumështit, kështu e merr nga ne qumështin e grumbulluar. Domethënë, ne jemi furnizues për atë kompani. Për secilën litër të mbledhur e ndalim një përqindje. Gjithashtu, nga kjo pikë grumbulluese furnizohen edhe banorë të tjerë të fshatit me qumësht të freskët”, thotë ajo.

Rajmonda vlerëson që me pak ndihmë financiare, nuk është shumë e vështirë të ngritet një biznes, mjafton që të bëhet një analizë e duhur e tregut dhe të shihet nëse rrethina apo vendi jonë ka treg dhe nevojë të mjaftueshme për atë ide.

Ndonëse ka përfunduar studimet e ciklit të dytë në Universitetin e Tiranës, ku para pak muajsh ka marrë titullin Master i Shkencave “Gjuhësi e Sotme”, nuk i ka penguar asnjëherë që të merret edhe me një veprimtari tjetër, madje ta nxjerrë edhe tërë fitimin prej saj.

“Unë asnjëherë nuk kam marrë ndihmë nga qeveria apo ndonjë organizatë. Megjithatë, biznesi, si një biznes i vogël individual që është, mund të them që është fitimprurës dhe ia vlen të merrem me të. Në përgjithësi, them që jam e pavarur ekonomikisht, si çdo biznes tjetër i vogël i ka uljet dhe ngritjet, por esenca është ta gjejmë një balancë në mes të këtyre dyjave”, thotë ajo.

Rajmonda pohon që ka pasur vështirësi, porse ato kanë zgjatur vetëm derisa ka filluar t’i njohë detajet e biznesit që kishte nisur. Sipas saj, çelësi i suksesit ndodhet tek planifikimi i mirë, andaj edhe ka një këshillë për të gjithë ata që kanë ndonjë ide të mirë në mendje, por që nuk njohin ndonjë mënyrë se si ta realizojnë.

“Planifikimi është çelësi. Gjejeni dikë që merret me po një biznes të tillë për t’u njohur me punën që duhet bërë. Bëni kërkime, për ta parë se a mund të zhvillohet biznesi në vendin të cilin mendoni ta bëni. Përgatituni për çdo gjë që mund t’ju dalë përpara. Kjo vlen për gratë dhe burrat që duan të merren ne këtë lloj të biznesit, sepse bërja e një pune të tillë nuk njeh gjini. Në veçanti grave iu them që hapi i parë është gjithmonë më i frikshmi, mirëpo ju jini këmbëngulëse dhe njihni vlerat e tuaja”.

Këtë këshillë e drejtoi specifikisht te gratë, duke qenë se ajo nuk e njeh edhe një vajzë apo grua të dytë që merret me këtë profesion, andaj i inkurajon ato që të futen më shumë në profesionet të cilat tradicionalisht dominohen nga burrat, njësoj siç është edhe biznesi i saj aktual.

Ndonëse është futur me dyshime, e në disa raste edhe ishte paragjykuar, ajo thotë se në të shumtën e rasteve ka marrë lëvdata e fjalë admirimi, të cilat ia kanë shtuar motivin që të vazhdonte të punonte edhe më shumë.

Intervistoi Fatbardhë Kiqina, bashkëpunëtore e GazetaScanner