Lajme

Rafuna: Shqetësuese mos-shpenzimi i buxhetit për investime kapitale

By GAZETA SCANNER 1

November 10, 2024

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online, ka folur për investimet kapitale në Kosovë.

Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti për mosshpenzimin e buxhetit për investime kaptiale.

“Shpenzimet të cilat janë të parapara në Ligjin e Buxhetit që janë mbi 800 milionë për investime kapitale, është dashur që përveç asaj shumës, ajo shumë të rritet, të ketë edhe më shumë investime se ato janë infuzioni më i mirë për ekonominë tonë, është i mirë për biznesin tonë dhe kanë efekt shumë qarkor sepse ndikon tek të gjithë për të mirë. Kërkesa jonë prej fillimit ka qenë që së paku nëse nuk mundesh me rrit ose me sjellë investime tjera kualitative, së paku këto që janë të parapara në Ligjin e Buxhetit që sillen mbi 800 milionë, të shpenzohen pra të mos mbesin një lloj suficiti në buxhetin e shtetit por të shpenzohen për ato projekte të cilat janë të parapara në Ligjin e Buxhetit që është aprovuar”, ka thënë Rafuna.

Rafunën është shprehur i shqetësuar edhe për deficitin e lartë tregtar, teksa ka folur edhe për mosshfrytëzimin e potencialit.

“Ne kemi shumë potencial, kemi mundësi shumë të madhe. Potenciali më i madh që e kemi janë ende burimet njerëzore, pra të rinjtë dhe të rejat. Te mallrat ne kemi deficitit tregtar por te shërbimet kemi suficit, pra më shumë eksportojmë se sa importojmë shërbime falë rinisë që janë shumë të aftë, flasin më shumë se dy gjuhë të huaja dhe unë besoj se kemi shumë kapacitetet për të shfrytëzuar”, u shpreh Rafuna.