Lajme

QKUK-ja mund të bëhet me mini-burg

By GAZETA SCANNER 1

September 23, 2023

Një mini-burg ka gjasë të bëhet brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Këtë po e kërkon Shërbimi Korrektues, që për të burgosurit që kanë probleme shëndetësore po thonë se duhet të bëhet një vend i veçantë.

Kjo për shkak të telasheve që po u shkaktohen këtij institucioni gjatë sigurimit fizik nëpër disa klinika.

“Shkaktohen vështirësi sepse shërbimi korrektues në çdo repart është i detyruar të ofrojë siguri fizike si për stafin si për këta persona, por sigurisht që kur të bëhet projekti, do të jetë më e lehtë sepse do ta kemi hapësirën tonë të veçantë”, ka thënë Ismail Dibrani, zëvendësues i Drejtorit në SHKK.

Bile, për këtë së fundmi u mbajt një takim si fazë fillestare e procesit.

“Me iniciativë të ministres së Drejtësisë, ne kemi pas takim me përfaqësues së QKUK dhe me ministrinë e Shëndetësisë dhe kemi kërkuar që të kemi hapësirat tona të veçanta brenda Qendrës Universitare ku mund të trajtohen personat me probleme të rënda shëndetësore”, ka thënë ai.

Megjithkëtë, duket se ShSKUK-ja nuk është ende gati për një projekt të tillë.

“Për momentin është e pamundur të krijohen hapësira të veçanta ngase ka sëmundje, patologji të veçanta dhe specifike sipas sëmundjeve dhe klinikave të ndryshme”, ka thënë Shpend Fazliu nga QKUK.

Fazliu tha se do të vazhdojnë të ofrojnë trajtim mjekësor për të gjithë pacientët e burgosur që kanë nevojë për shërbime.