Lajme

Qeveria thotë se Vuçiq pati kërkesa që e zhbëjnë marrëveshjen bazike, aneksin e zbatimit dhe propozimin e ri të Pesëshes

By GAZETA SCANNER 1

October 26, 2023

Qeveria e Kosovës ka lëshuar të enjten një komunikatë për zhvillimet në Bruksel, ku kryeministri Albin Kurti është takuar me funksionarë të lartë evropianë.

Kurti ka deklaruar se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen bazë në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, ka treguar Qeveria.

Por, ekzekutivi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pasur kërkesa që e zhbëjnë marrëveshjen bazike.

’Presidenti i Serbisë, Vuciq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njofitm.

Të enjten, Bashkimi Europian ka publikuar pamjet nga takimi i kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez Emmnuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorga Meloni. Pjesë e takimit ishin edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, si dhe emisari Miroslav Lajçak.