Mbi 10 ditë pas interesimit për të kuptuar se kush i menaxhon minierat në Leposaviq bashkë meFlotacioni në Kopaonik, pronarja që ka 80 të aksioneve në Trepçë, ka dhënë një qëndrim të saj.
Duke u thirrur në Ligjin për Trepçën, Qeveria pretendon se viteve të fundit është rritur shkalla e menaxhimit.
“Nuk ka të dhëna sepse deri vonë kjo njësi nuk ka raportuar në menaxhmentin e Trepça SH.A për eksploatimin e xehes dhe prodhimin e koncentratit. Më herët të dhënat janë paraqitur vetëm në KPMM e ATK. Tanimë pas një sërë hapash ato po konsolidohen edhe brenda ndërmarrjes. Në muajin shtator, Bordi Menaxhues ka pasur takim me menaxhmentin e Trepçës, ku zyrtarët e kësaj njësie kanë paraqitur draftin e Planit të Biznesit për vitin 2025”-Qeveria e Kosovës.
Kjo përgjigje vjen pas ballafaqimit me faktin se Flotacioni në Leposaviq nuk figuron në planet e punës së ndërmarrjes Trepçë, për tri vite me radhë, të paktën që nga 2022-a.
“Informatat nga kjo njësi për eksploatimin e xehrorit, prodhimin e koncentratit dhe financat kanë munguar deri në vitin e fundit. Ndërsa këtë vit, zyrtarët e kësaj njësie në takim me Kryeshefin dhe ZKF kanë paraqitur draftin e Planit të Biznesit për vitin 2025….”– Qeveria e Kosovës.
Qeveria thotë se aktiviteti minerar kryhet me licenca nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, dhe se eksporti dhe koncentrati i plumbit dhe zinkut, bëhet me miratimin e Bordit Mbikëqyrës dhe lejen në Departamentin e Minierave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
Realitetin juridik të cilin e prezanton Qeveria dhe i cili ekziston nga 2016 me Ligjin për Trepçën e pranojnë dhe e njohin ish-drejtor të Trepçës. Por sipas tyre situata në terren dhe faktike është krejt jashtë dorës së kontrollit nga shteti.
“Në pjesën e menaxhimit dhe Bordit Menaxhues për tërësinë e Trepçës nuk ka ingirenca të mjaftueshme praktike, sepse juridike ka, dhe Trepça veri asnjëherë nuk e ka përfillu si me thënë menaxhmetin qendror të Bordit të cilin Qeveria e ka emëruar, në këtë realicion të gjitha kuadrat udhëheqëse, menaxhuese në Trepçën veri, nuk janë sipas legjislacionit në Kosovë”, ka thënë Ferat Shala – Ish-drejtor i Trepçës.
Shala shton se sipas informacioneve të tij, atje punojnë rreth 1300 punëtorë dhe se shpesh operohet edhe me kompani private.
Kur flitet për kontrollin nuk nënkuptohet infrastruktura ligjore dhe çështja e lejeve, por autoriteti për të emëruar ose shkarkuar anëtarë dhe udhëheqës e po ashtu për të pasur dorë e kontroll mbi financa.
Për çështjen e fitimit ose dividentës pra për dilemën se ku shkon fitimi i shitjes së xeheve nga minierat në Leposaviq, televizioni ka dërguar prapë pyetje në adresë të Qeverisë.
Vet Qeveria në këtë rast Ministria e Ekonomisë, tek rubrika për ndërmarrjet publike, në faqen zyrtare, në raportin e punës për vitin 2024 thotë se aty përjashtohet Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq për shkak të mungesës së të dhënave.