Lajme

Qeveria Kurti ua humbi shpresat, mbi 41 mijë qytetarë u larguan nga Kosova në vitin 2022

By GAZETA SCANNER 1

January 02, 2024

 

Sipas të dhënave të fundit që ka Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2022 nga Kosova janë larguar mbi 41 mijë banorë.

Një nga arsyet e cekura për emigrim është punësimi.

Edhe nga Banka Botërore kanë thënë se sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën, raporton Radio Evropa e Lirë.

Të hënën, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është organizuar udhëtimi i parë pa viza për fituesit e një kuizi të Bashkimit Evropian, që është organizuar në kuadër të një fushate informuese të institucioneve lidhur me liberalizimin e vizave.

Në këtë aeroport janë parë qytetarë që po presin të shfrytëzojnë heqjen e regjimit të vizave.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

Nga profesionist të shumtë liberalizimi i vizave për Kosovën është parë si paralajmërim për largimin e kuadrove profesionale në sektor të ndryshëm.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Përveç lumturisë, pas 12 vjetësh që ndodhi liberalizimi i vizave, ky moment historik padyshim se do të sjellë edhe një frymë të re me ndryshime në Kosovë.