Lajmest-slider

Qëndrim që s’do t’i pëlqejë Kurtit: Escobar thotë se Amerika e përkrah nismën “Ballkani i Hapur”

Në Forumin e Sigurisë të Beogradit, përmes lidhjes virtuale ka folur edhe zëvendësndihmës sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.

Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor është pjesë historike e Evropës, duke theksuar se shumë shtete kanë bërë mjaft progres drejt rrugës së Bashkimit Evropian.

Escobar ka deklaruar se Bashkimi Evropian ofron shumë mundësi dhe shtetet që ju kanë bashkuar janë bërë më demokratike dhe stabile, ku edhe statusi i kandidatit i ka bërë disa shtete që të ndërmarrin reformat e nevojshme.

“Kjo është edhe arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që sa më parë të shohin shtetet e Ballkanit Perëndimor duke iu bashkuar BE-së, andaj edhe SHBA-ja punon me partnerët evropian në këtë drejtim. Deri sa shumica e shohin Ballkanin si një vend konflikti të vitit 1990, SHBA-të e shohin si një vend të shekullit 21, me plot mundësi”, ka thënë Escobar.

Ai ka folur edhe për rritjen ekonomike që kanë pasur vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Të marrim shembull ekonominë e Serbisë, shtetin që e njoh më së shumti, e cila jo vetëm se është dyfishuar nga viti 2000, por është rritur për shtatë herë më shumë dhe ka ende potencial të madh të rritjes”, ka thënë Escobar.

Në anën tjetër, Escobar ka folur edhe për idenë e “Open Balkan”, ide të cilën ka thënë se e mbështet plotësisht SHBA-ja.

Ai ka thënë se pandemia COVID-19 i ka bërë shtetet e Ballkanit më të afërta me njëra tjetrën, duke thënë se ka shumë qytetarë serbë që kanë vizituar Shqipërinë gjatë kësaj kohe, ndërsa ka edhe qytetarë nga Shqipëria që kanë shkuar në Beograd për vaksinim kundër COVID-19. Escobar ka thënë se kjo është një dëshmi që iniciativa për “Open Balkans” mund të jetë e dobishme.

“Gjatë dy dekadave të fundit që jam marrë me regjionin e Ballkanit, kam parë shumë të rinj duke u larguar nga vendet e tyre. Ata janë të suksesshëm kudo që shkojnë. Ne duhet t’ua mundësojmë që të jenë të suksesshëm edhe në shtetet e tyre. Tesla dhe Pupini i ardhshëm kanë lindur, ne vetëm duhet t’u japim një shancë në Ballkan”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se është zhgënjyes fakti që ende diskutohen çështje të viteve të 90-ta, pasi që sipas tij liderët e shteteve të Ballkanit duhet të shohin drejt të ardhmes dhe të zgjedhin problemet e të shkuarës. Escobar ka përmendur edhe shpërbërjen në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se kjo vazhdon të ndikojë negativisht në ekonomi.

Escobar ka thënë se ju takon liderëve të shteteve të Ballkanit që të vazhdojnë progresin ekonomik ose të vazhdojnë të flasin për problemet e të kaluarës.

“Zgjedhja është në dorën e qytetarëve dhe jo në dorën e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Escobar.

Në fund, ai ka theksuar se administrate aktuale amerikane do të vazhdojë të mbështes personat që duan transformimin e regjionit, ndërsa ka thënë se SHBA-ja do të jetë partner në rrugën e progresit në Ballkanin Perëndimor.