Ekonomi

Qantas planifikon të angazhojë pilotë me më shumë përvojë në linjat e gjata

Aviokompania australiane Qantas Airways planifikon të angazhojë pilotë më me përvojë në fluturimet më të gjata pa ndalesë në botë. E gjithë kjo ndodh pas vlerësimit të lodhjes së pilotëve.  

Aviokompania bëri publike javën e shkuar se planifikontë të blejë deri në 12 aeroplanë Airbus A350 për fluturimet komerciale deri 21-orëshe, përfshirë linjën Sidney- Londër, megjithatë ky plan varet nëse pilotët do ta aprovojnë marrëveshjen për pagesën, që pritet të arrihet në mars të vitit të ardhshëm.

“Për të qenë të qartë, ne ende nuk kemi bërë porosi për këta aeroplana pasi ende një boshllëk financiar për t’u mbyllur,” deklaroi shefi i pilotëvë në Qantas, Dick Tobiano në një memorandum të brendshëm adresuar pilotëve.

Qantas tha se rregullatori australian i aviacionit kishte këshilluar përkohësisht se ‘nuk shihte pengesa rregullatore për këto fluturime’, të cilat mund të zgjasin orarin e pilotëve deri në 23 orë.

Aviokompania ka kryer studime për lodhjen e ekuipazhit në fluturimet testuese Sidney- Londër dhe Nju Jork- Sidney.

Në fluturimet e tanishme në linja të gjata, Qantas ka një ekuipazh prej një kapiteni, një oficeri të parë dhe dy oficerëve të dytë, këta të fundit mund të marrin kontrollin e aeroplanit vetëm në lartësi fluturimi mbi 10,000 metra dhe nuk mund të kryejnë ngritje apo ulje.

Aviokompania rivale, Singapore Airlines, përdor dy kapitenë dhe dy oficerë të parë në fluturimet e saja gati 19-orëshe nga Singapori drejt Nju Jorkut.

Qantas ka ofruar ekuipazhit të fluturimeve pa ndalje drejt Londrës dhe Nju Jorkut me një kapiten, dy oficerë të parë dhe një oficer të dytë gjatë 18 muajve të parë, në mënyrë që të mund t’i vlerësojë problemet që ndërlidhen me lodhjen, sipas revistës së publikuar nga sindikata e punëtorëvë të Qantas. Qantas nuk pranoi të komentojë.

Qantas ka propozuar që pilotët që operojnë me flotën e saj të aeroplanëve A330, kryesisht në marshuta brenda vendit dhe ato aziatike, gjithashtu të operojnë në fluturimet e gjata me aeroplanët A350, pasi pilotët mund të licencohen për të dyja modelet.

Qantas Airways llogaritet numër një në këtë fushë në Australi, me flotën më të madhe të aeroplanëve, me më së shumti fluturime dhe destinacione ndërkombëtare. Qantas është aviokompania e tretë ajrore më e vjetër në botë, pas KLM dhe Avianca, e themeluar në nëntor të vitit 1920, ndërsa fluturimet ndërkombëtare të pasagjerëve i filloi në maj të vitit 1935.