Lajme

Pushtetit i bëhet thirrje që t’i mbajë duart larg sistemit të drejtësisë

By GAZETA SCANNER 1

November 15, 2024

Njohës të sistemit të drejtësisë dhe shoqëria civile i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet nga qasja e saj kritike e akuzuese ndaj Institucioneve të Drejtësisë konkretisht, Gjykatës Kushtetuese. Thirrja pasoi deklaratën e kryeministrit Kurti i cili një ditë më parë tha se Gjykata Kushtetuese me zvarritjen e vlerësimit të ligjeve dhe rrëzimin e tyre po e bllokon reformën në drejtësi. Sipas tyre, një gjuhë tillë është qartazi ndërhyje në punën e Gjykatës.

Gjykata Kushtetuese deri më tani nuk i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Kurti për siç ka thënë bllokim të reformave pozitive e progresiste, por njohës dhe monitorues të sistemit të drejtësisë vlerësojnë se deklarimet e Kurtit janë ndërhyrje në punën e Gjykatës dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thotë se një qasje e tillë e Qeverisë duhet të ndryshohet pasi që sipas tij, i bën dëm Kosovës edhe në aspektin ndërkombëtar.

“Çdo targëtim i këtyre institucioneve të pavarura pavarësisht çfarë ka qenë qëllimi i kryeministrit patjetër që konsiderohet si ndërhyje në punën e Gjykatës Kushtetuese. Nëse duam të jemi pjesë e mekanizmave evropian duhet ta ndryshojmë këtë qasje dhe të mos ndërhyjmë në punën e tyre ngas e pos qe ka efekte drejtpërdrejt në punën e institucioneve ka edhe impakt negativ në aspektin ndërkombëtar për Kosovën”, tha Hasani për rtv21.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi ndërkaq vlerësojnë se qasja e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë është e papranueshme dhe së Gjykata duhet të lihet e qetë në punën e saj.

“Fatkeqësi që një qasje e tillë nuk është risi. I gjithë mandati i kësaj qeverie është shoqëruar me deklarata të tilla ndërhyrëse. Në raport me Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera të drejtësisë një qasje e tillë është e papranueshme dhe është haptazi një ndërhyje. Përmes akuzimit të Gjykatës.. me një qasje të tillë krijon përshtypjen se tentohet që Qeveria të fshihet mbrapa dështimeve të saj në shumë fusha për ta bërë reformën e madhe në sistemin e drejtësisë”, tha Gzim Shala nga Instituti Kosovës për Drejtësi.

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike kërkojnë nga Qeveria që të distancohet nga gjuha e cila, siç thonë, përbënë ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

“Si GLPS vlerësojmë që Kryeministri dhe akterët e tjerë në kuadër të Qeverisë së Kosovës e kanë për obligim që ta respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe që të distancohen nga përdorimi i gjuhës e cila ka si rezultat ndërhyrjen në punën dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Në vend të kritikës, Ekzekutivi duhet të sigurohet që nismat legjislative që propozohen e miratohen në Kuvend të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të adresojnë në mënyrë të plotë dhe të drejtë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Gjatë mandatit të Qeverisë aktuale me dhjetëra ligje përfunduan në Gjykatë Kushtetuese. Disa u rrëzuan tërësisht, disa pjesërisht e disa vazhdojnë të presin për vlerësim kushtetutshmërie.