Kuriozitete

Pushimet ideale duhet të zgjasin 8 ditë

By GAZETA SCANNER 1

July 26, 2024

Çdo vit ti ke një sasi të caktuar ditësh për të pushuar. A duhet t’i shfrytëzosh të gjitha njëherësh dhe të humbasësh në rehatinë e pushimeve? Apo t’i ndash ato në mini pushime, duke i dhënë vetes fundjava më të gjata?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve varen nga profesioni që ushtroni dhe buxheti që keni, por edhe personat me të cilët zgjidhni të pushoni. Studimet kanë arritur në përfundimin se gjatësia ideale e pushimeve, për të maksimizuar produktivitetin, është 8 ditë.

Hulumtimi i një universiteti finlandez ndoqi 54 pushues gjatë gjithë kohëzgjatjes së pushimeve të tyre, duke matur nivelin e lumturisë dhe kënaqësisë.

Relaksimi dhe ndjesitë pozitive arrijnë kulmin në ditën e tetë të largimit tuaj, duke maksimizuar ndjenjat tuaja të kënaqësisë. Pas kësaj, kënaqësia zbehet ngadalë deri në ditën e 11-të, ku ka të ngjarë të përjetoni një rënie të rëndë, ndoshta për shkak të mallit për shtëpinë apo edhe mërzisë.

Pse dita e tetë? Studiuesit mendojnë se kjo është koha që i nevojitet dikujt të harrojë të gjitha përgjegjësitë e punës dhe stresin.

8 ditë janë mjaftueshëm për të marrë më të mirën e pushimeve. Ti nisesh që të premten, ndoshta dhe pak më herët. Më pas ke ditën e shtunë, të dielë, të hënë, të martë, të mërkurë, të enjte, të premte, përsëri të shtunë dhe të dielë.

Dita e parë dhe e fundit ndoshta nuk llogariten, sepse janë ditët e zbarkimit dhe paketimit.

Udhëtimet kushtojnë, prandaj nuk ja vlen të zgjateni në pushime nëse koha shtesë dhe paratë e shpenzuara nuk do të shtojnë lumturinë apo nivelin e relaksimit. Megjithatë, studiuesit sugjerojnë se është një ide e mirë të rezervoni pushime diku në intervalin prej shtatë deri në 11 ditë.

Gjithsesi sado pushime të bëni, lumturia dhe kujtimet e bukura do të harrohen në momentin që do të ktheheni në punë. Por të paktën do të jeni të karikuar mjaftueshëm për t’u përballur me realitetin.