Lajme

Punimet në rrugën Gjilan – Prishtinë, deputetja e LDK-së kritikon ashpër Qeverinë Kurti: Krejt shtrembër

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Rexhepi-Bunjaku ka reaguar lidhur me punimet në rrugën Gjilan – Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Rexhepi – Bunjaku kritikoi ashpër Qeverinë Kurti për mosrregullimin e urës.

“Është e pabesueshme, amatore, e papranueshme, të mos rregullohet një urë e vogël dhe aq e rëndësishme, edhe pas 4 vjetësh qeverisje nga Qeveria Kurti. Rruga Gjilan-Prishtinë për 4 vjet, ka marrë jetë njerëzish, lëndime personash, dëmtime materiale dhe vonesa për udhëtarë, punëtorë e studentë”, ka shkruar ajo.

Deputetja potencoi se Gjilani është një nga 7 qytetet dhe komunat më të mëdha të Kosovës, dhe ndër taksapaguesit më të mëdhenj, por kjo sipas saj nuk i kthehet në investim kapital.

“Këta nuk ishin në gjendje as një urë të Badovcit ta rregullojnë, e po e rregullojnë Kosovën. Krejt, ama krejt shtrembër”, përfundoi ajo.