Punëtorët teknikë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Hanife Hyseni dhe Aferdita Alija, kanë treguar se Trusti pensional tash e një vit nuk është duke u paguar për këta punëtorë dhe sipas tyre ka pesë vite që nuk ka ndryshim të pagave për këtë kategori.
“Un jam Hanife Hyseni, jetoj në fshatin Stanovc, komuna e Vushtrisë. Pagat i kemi 275 euro. Kemi protestuar për të na rritur pagat deri në 400/450 euro. Nuk e di sa po realizohet. Këtë pagë e kemi që pesë vite, më herët pagën e kemi pasur më të vogël kurse tash e kemi 275 euro”, thotë ajo për Blic.
Sipas Hysenit, Trusti pensional prej vitit 2023 nuk është duke u paguar, ndërsa ajo tutje tregon se këtë vit vetëm dy muaj janë paguar me Trust.
“Trusti nuk është duke u paguar, vitin 2023 nuk është i paguar, në vitin 2024 janë vetëm dy muaj të paguar muaji mars dhe prill. Ende nuk kemi ndonjë premtim, por po shpresojmë që do të bëhet diçka. Jemi ankuar edhe për pagesën e trustit, por nuk ka asnjë pagesë tjetër”, deklaroi ajo për Gazeta Blic.
Për punëtoren teknike Afërdita Alija, paga 275 euro është pagë e pamjaftueshme, përfshirë të gjitha shpenzimet mujore.
“Shumë pak paga 275 euro, veç rrugë edhe shpenzime të shtëpisë, nuk janë të mjaftueshme. Protestë do të ketë me 1 shtator, mendojmë që do të bëhet diçka. Prej vitit të kaluar Trusti nuk është paguar por besoj që do t’i qesin”, tha Alija.