Pullat më të reja postare të Postës së Kosovës, me imazhin e këngëtares me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, nga nesër do të udhëtojnë në të katër anët e botës. Atje ku këngëtarja jonë ka miliona e miliona adhurues.
Ky emision i pullave postare është promovuar sot në Prishtinë.
UD Kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës Fakete Kadiu i ka dhuruar Dua Lipes pullat e para postare si dhe një pullë postare e punuar në pllakë bronzi. Po ashtu edhe babait të saj, Dukagjin Lipa.
“Dua është fituese e shumë çmimeve prestigjioze, por pulla postare me pamjen e saj është një mirënjohje unike dhe për këtë Posta e Kosovës është shumë krenare”, ka thënë kryeshefja Kadiu.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ekipi i Dua Lipes dhe zyrtarë të tjerë.
“Me talentin e saj, me paraqitjet e saj, ajo ka lartësuar emrin e Kosovës në tërë globin. Kudo ku është Dua Lipa aty është edhe Kosova. Faleminderit Dua!”, ka theksuar kryeshefja Kadiu në këtë promovim.
Artistja e madhe u shpreh e lumtur që u bë pjesë e thesarit të pullave postare.
“Është një nder i madh për mua. Do të vazhdoj të punoj në çfarëdo mënyre që mundëm për ta ngritur Kosovën sa më lartë”, ka thënë ajo.
Kontributi i Dua Lipes në promovimin e vendit tonë, imazhit të kombit tonë, është më të vërtet i jashtëzakonshëm.
Me festivalin Sunny Hill në Prishtinë ajo e bëri vendin tonë të vogël një nga qendrat më të mëdha botërore të festivaleve ndërkombëtare.
Dua plotësisht e meriton titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës.
Posta e Kosovës ka nderuar dhe promovuar për mbi njëzet vite personalitete të shquara të kulturës sonë e këtë do ta bëj edhe në të ardhmen.