Lajme

Publikohen pamjet ku shihen personat e maskuar në pikëkalimin kufitar në Bërnjak

By GAZETA SCANNER

September 07, 2024

Persona të maskuar janë parë pranë një bllokade të vendosur në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës në Bërnjak, mbrëmjen e 6 shtatorit. Kjo pikë kufitare tashmë është mbyllur për qarkullim.

Në pamjet që ka publikuar Radio Evropa e Lirë shihen personat e maskuar, derisa në afërsi të këtij pikëkalimi shihen edhe disa karrige e drunj të vendosur në mes të rrugës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka deklaruar se pika kufitare në Bërnjak do të mbetet e mbyllur deri në largimin e personave të maskuar dhe rikthimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.

Kjo Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dënon fuqishëm veprimet e fundit në pikën kufitare të Bërnjakut, ku persona të maskuar po ndalojnë vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë, nuk po i lejojnë të kalojnë. Kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga vetura të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë. Një sjellje e tillë, e cila nuk mund të tolerohet, rikujton periudha të errëta të historisë dhe përbën një akti veprimi të papranueshëm, diskriminimi dhe fashizmi”, thuhet në reagimin e MPJD-së.