Lajme

Publikimi i operacioneve policore në rrjete sociale konsiderohet veprim jo i duhur

By GAZETA SCANNER 1

July 20, 2024

Pamje të tilla së fundmi janë parë më shpesh në rrjetet sociale.

Ato janë publikuar nga Policia e Kosovës teksa njësitë elistare kryenin aksione për arrestimin e personave të ndryshëm.

Një i fundit që u zhvillua në dy rajone, thuhet se kishte të bënte me fajde por edhe me korrupsion e krim të organizuar.

Ish-zëdhënësi i Policisë së Kosovës thotë se angazhimi i këtyre njësiteve vjen për shkak të rrezikshmërisë së operacioneve policore.

“Njësia speciale intervenon në rastet kur kemi të bëjmë me rrezikshmëri të lartë, është rrezikshmëri për persona të tillë dhe veprimtaria e tyre ëhstë e përcaktuar në bazë të rregullativës së brendshme ku ata aktivizohen në mënyrë që kryerësit e mundshëm të këtyre veprave penale të cilët shumica prej tyre janë të rrezikshmërisë së lartë kanë ikur nga burgu ose në një mënyrë ose tjetër janë të rrezikshëm për punëtorët e rendit dhe qetësisë publike”, tha nënkoloneli në pension, Rafki Morina.

Por që sipas tij, publikimi i këtyre pamjeve nga operacionet policore nuk është veprim i duhur nga ana e menaxhmentit të Policisë.

“Për arsye se aksione të tilla të Policisë janë të vazhdueshme, planet e tilla operative janë të vazhdueshme çdo rajon i Kosovës dmth përpilon plane të tilla angazhohen njësitë e posaçme të caktume për personat e caktuar për grabitçarë, për vjedhës për kryerës të veprave të ndryshme penale prandaj unë mendoj se aktivitetet e tilla është mirë që mos të fokusohen fortë në foto por të tregohet për aktivitetin, punën e tyre e cila është e vazhdueshme e përditshme mos të thom e çdo orshme dhe në këtë mënyrë qëllimi i vetëm është nxënia e kryerësve të veprave penale dhe sjellja e tyre para organeve të drejtësisë”, tha Morina.

Por në anën tjetër, hartuesi i Ligjit për Policinë po vlerëson se kjo duhet bërë për shkak edhe të transparencës.

“Nga njëra anë është nevoja për një transparencë edhe në kryerjen e detyrave zyrtare tash pa hy në atë çështje që është nga njëherë edhe nevoja për asistencë edhe për shkak të vlerësimit të rrezikshmërisë në ndërmarrjen e veprimeve të caktuara në arrestim të personave që janë të involvuar në krimin e organizuar etj”, tha njohësi i sigurisë, Nuredin Ibshi.

Pamje të tilla janë bërë tashmë virale edhe në rrjete tjera sociale ku kanë marrë edhe një pëlqyeshmëri të madhe tek publiku.