Lajme

Pse nuk u shkarkua Ekipi Menaxhues më herët, Krasniqi: Nuk kemi dashtë të paragjykojmë mbi produktin final

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2023

Qeveria e Kosovës tashmë ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që propozoi draft statutin për formimin e Asociacionit, dhe rrjedhimisht, janë ngritur pikëpyetje edhe pse kjo nuk ka ndodhur më herët.

Në lidhje me këtë, është pyetur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili ka deklaruar se “nuk kanë dashur ta paragjykojnë produktin final”.

“Fakti që ne në dialog jemi konstruktiv, nuk kemi dashtë të paragjykojmë produktin final. E kemi ofru mundësinë e bashkëpunimit, sikur ata të diskutonin me ne për këtë punë të tyre, mund të diskutonin parparakisht para se të shkonin në Bruksel, por kur është bërë prezantimi i produktit të tyre, ka përfundu mandati dhe e kemi marrë vendimin për lirimin nga detyra.” – ka thënë ai.

Në një konferencë të mbajtur para disa ditësh me gazetarët, zëdhënësi Stano fillimisht deklaroi se ekipi menaxhues nuk ishte pjesë e asnjë prej delegacioneve – pra as atij serb, as atij kosovar.

“Ata nuk ishin pjesë as e delegacionit serb, as atij kosovar. Kjo është në linjë me marrëveshjet e dialogut, anëtarët e ekipit janë propozuar nga Serbia dhe janë emëruar nga Kosova.” – tha ai për Tëvë1.

Stano ka deklaruar edhe një herë se vendimi për të shkarkuar ekipin menaxhues “shkel letrën e marrëveshjeve të dialogut”.

“Prandaj, vendimi për ta shpërbërë ekipin menaxhues i shkel letrën dhe frymën e marrëveshjes së dialogut dhe për çdo vendim për Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim në kornizën e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.” – u shpreh ai.