Kuriozitete

Pse nuk i rezistojmë dot telefonit edhe në praninë e të tjerëve?

By GAZETA SCANNER 1

November 10, 2024

Nga telefoni i parë inteligjent i kompanisë IBM në fillimin e viteve 1990 deri te iPhone revolucionar i Apple, telefonat celularë janë bërë sot një domosdoshmëri në jetën e shumë njerëzve.

Sot afro 3.8 miliardë njerëz ka një smartfon, ose gati 50 për qind e popullsisë së botës. Për shumë njerëz, është e qartë se varësia ndaj këtyre pajisjeve, po shkakton sjellje të gabuara sociale. Si për shembull mania për t’u marrë me telefonin në mesin e një bisede me dikë, apo ndërsa darkoni me një grup miqsh.

Por pse ndodh kjo? Një studim nga studiuesit në Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, identifikoi 3 arsye të mundshme pse njerëzit kontrollojnë smartfonët e tyre edhe në praninë e të tjerëve. Përparimet në teknologji, si shpikja e aplikacioneve, e kanë bërë më të lehtë për njerëzit që të kontrollojnë punën dhe gjërat personale që të gjitha në një pajisje.

Natyrisht telefonët inteligjentë, përdoren për të bërë fotografi, për të njoftuar aktivitete apo ngjarje të caktuara përmes mediave sociale, për të planifikuar takime, për të mbajtur kontakte,dhe për shumë gjëra të tjera që ndodhin çdo ditë.

“Kjo e bën smartfonin shumë të rëndësishëm, si në aspektin social ashtu edhe në atë sociologjik”- thotë autorja kryesore e studimit, Ida Marie Henriksen. Edhe pse ato e kanë bërë më të lehtë socializimin e njerëzve, ironikisht mund të bëhen pengesë për kalimin e kohës me të tjerët kur takohen ballë për ballë.

Për studimin, studiuesit vizituan disa kafene dhe intervistuan 52 persona, duke i pyetur ata specifikisht mbi përdorimin e pajisjeve të tyre inteligjente dhe ndërveprimin e tyre me të tjerët. “Ne u fokusuam ekskluzivisht tek njerëzit që dukej se e njihnin njëri-tjetrin që më parë, dhe që takoheshin për qejf me njëri-tjetrin. Për më tepër, ne vëzhguam 108 takime të tjera në distancë”- thotë Marian Skar, doktorante në Departamentin e Sociologjisë dhe Shkencave Politike.

Studiuesit zbuluan se një nga arsyet pse shumë njerëz e përdorin telefonin e tyre para të tjerëve, është për të kontrolluar mediat sociale, e–mailin ose një bisedë me mesazhe me një person tjetër. Normalisht, një ndërprerje e tillë e komunikimit, do të konsiderohej si një sjellje pa takt nga personi fizikisht i pranishëm.

Por studiuesit zbuluan se një shpjegim i shpejtë për pauzën gjatë bisedës, para përdorimit të telefonit cilësohej si një gjest i sjellshëm dhe i pranueshëm. Arsyeja e dytë pse njerëzit i përdorin smartfonët e tyre, është shmangia e bisedës me personin përballë.

Një person mund të nisë të merret me telefonin e tij, për t’i sinjalizuar tjetrit që ka përballë se është i zënë, ose të pretendojë se duhet t’i përgjigjet një telefonate, edhe pse në fakt nuk po bie zilja e telefonit. “Smartfoni ofron një mundësi për pushim nga ndërveprimet sociale ballë për ballë”-thotë Henriksen.

Së fundmi, telefonat inteligjentë përdoren ndër të tjera për të ndarë përmbajtje, si foto ose video. “Kur bëni një selfi së bashku ose tregoni foto të të dashurës apo fëmijëve tuaj të vegjël, apo hartën e vendit ku keni qenë me pushime, ju jeni duke ndarë përmbajtje”-thotë Aksel Tjora, profesor në Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë.