Ballina

PSD i fton qytetarët të dalin në protestën e veteranëve: Përpjekja më e lavdishme e historisë sonë po luftohet

By GAZETA SCANNER 1

June 15, 2022

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar rreth protestës së paralajmëruar nga organizatat e dala nga lufta që do të zhvillohet nesër, duke kërkuar nga qytetarët të dalin në protestë.

Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, po luftohet përpjekja më e lavdishme e historisë së Kosovës, duke shtuar se ata që lanë peng jetën e tyre për lirinë e vendit po nëpërkëmben.

Tutje, ai ka thënë se qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti, sipas kryetarit të PSD-së, është qeveria më agresive përballë veteranëve të UÇK-së.

“Të dashur qytetarë, miq e mbështetës, Përpjekja më e lavdishme e historisë sonë po luftohet. Ata që lanë peng jetën e tyre për lirinë tonë, sot po nëpërkëmben. Kosova kurrë nuk ka pasur qeveri kaq agresive përballë veteranëve të UÇK-së. Kurrë s’kemi pasur të tillë pushtet që refuzon çdo kërkesë e nevojë të ish-luftëtarëve të lirisë, ndërkohë që u jep miliona bizneseve të mëdha e të fuqishme. Arrogancës së tyre do t’i përgjigjemi me rezistencë. Sepse pa protestë, këta s’dijnë të ndalen. Prandaj ju ftoj sonte, që nesër të bëhemi bashkë. Të mblidhemi para Qeverisë e Kuvendit, në orën 09:30, në mbrojtje të veterenëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës për liri!”, ka thënë Molliqaj.