Lajme

PSD e akuzoi për përndjekje, LVV i gëzohet aksionit të Policisë me një reagim

By GAZETA SCANNER 1

May 18, 2023

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë i është gëzuar aksionit të Policisë që dje e pati në qendër Dren Kukajn, anëtarin e Kryesisë së Partisë Socialdemokrate dhe ish-aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore, të cilit iu bastis shtëpia. Ai dyshohet për keqpërdorime në një hetim që po bëhen tash e dy vjet.

LVV thotë përmes një njoftimi për media se për këtë u informuan “përmes mjeteve të informimit.

Partia në pushtet kishte thënë po e dëmtonte interesin publik një projekt të cilin e konsiderojnë korruptiv në lagjen Lakrishte në kryeqytet.

“Me 8 gusht të vitit të kaluar kemi ngritur Padi ndaj NPB-së dhe operatorëve ekonomik që janë të përfshirë në këtë aferë dhe gjithashtu kemi kërkuar nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme. Përkundër provave të mjaftueshme që kemi deponuar dhe pas pritjes së pakuptimtë prej 71 ditësh për mbajtjen e seancës, kërkesa jonë për masë të përkohshme ishte refuzuar. Organet e drejtësisë hezituan gjatë për vepruar në këtë rast, edhe pse faktet ishin të qarta. Aksioni dhe veprimet e djeshme të Policisë së Kosovës e dëshmojnë qartë se veprimet që i kemi ndërmarrë gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë të drejta dhe të argumentuara”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Qendra në Prishtinë e partisë në pushtet ka kërkuar që “rasti të trajtohet me seriozitetin më të madh të mundshëm dhe personat përgjegjës të japin llogari për veprat e tyre”.

“Për ne është e pakuptimtë dhe mjaftë shqetësuese heshtja e vazhdueshme e qeverisjes komunale për këtë çështje. As në Kuvendin Komunal nuk na është mundësuar të diskutojmë për këtë problematikë, ndërkohë që pikërisht ky Kuvend është themelues dhe aksionar i vetëm i NPB-së. E pse ka ndodhur kjo, edhe këtu duhet të ketë hetim”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Kukaj, që ishte cak i Policisë, të mërkurën në një konferencë për media ka thënë se policia ka bastisur shtëpinë e prindërve të tij dhe shtëpinë e tij ku kanë sekuestruar dy kompjuterët e prindërve të tij dhe telefonin e tij.

Ai ka thënë ndër tjerash se kjo çfarë ka ndodhur dje ishte “përndjekje e pastër politike”, ndërsa projektin për të cilin po hetohet, e ka quajtur krejtësisht të ligjshëm dhe të dobishëm.