Botë

Proteston Franca, kundërshtojnë rritjen e pragut të pensionimit

Një grevë masive ka filluar sot në Francë, ku pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar pothuajse të gjitha sindikatat e sektorit publik, në kundërshtim të planeve të presidentit Emanuel Makron për ta rishikuar sistemin pensional.

Pas protestave të jelekverdhëve që filluan një vit më parë, punonjësit e një numri sektorësh në Francë kanë paralajmëruar një grevë në kohë të pacaktuar si përgjigje ndaj reformës së sistemit pensional të nisur nga administrata e Makron. Rreth 6.000 policë janë vendosur në Paris për t’i siguruar rrugët e kryeqytetit francez, pasi priten demonstrata masive në të gjithë qytetin, sipas agjencisë Anadolu.

Kulla Eifel dhe muzeu i Luvrit kanë paralajmëruar mbylljen, hotelet janë pothuajse bosh pasi shumë turistë dhe mysafirë kanë anuluar ardhjen e tyre. Greva ka goditur më së shumti sektorin e transportit, me anulimin e 30 përqind të fluturimeve brenda vendit, ndërsa trenat dhe autobusët dhe një pjesë e madhe e sistemit të metrosë nuk filloi operimet fare këtë mëngjes. Kompania publike e transportit, SNCF, paralajmëroi se nga 5- 8 dhjetor nuk do të shes bileta.

Shumë punonjës do të punojnë nga shtëpia ose do të marrin ditë pushimi për ta kaluar me fëmijët e tyre, pasi gati 80 përqind e arsimtarëve do të jenë në grevë. Pritet që në rrugë të dalin qindra mijëra qytetarë në të gjithë Francën.

Një marsh protestues është planifikuar në Paris, duke u nisur nga stacioni i trenit dhe do të vazhdojë drejt Sheshit të Kombit. Tubimet janë ndaluar në afërsi të Champs Elysee, Pallatit presidencial, parlamentit dhe katedrales së Notr Damit.

Presidenti Makron, ka reaguar duke anuluar përkohësisht të gjitha vizitat për t’u përqëndruar në adresimin e problemeve që do të shkaktohen nga greva e sotme. Lista e kompanive që hynë në grevë është mjaft e gjatë, dhe në mesin e tyre janë ndërmarrje të transportit publik brenda dhe përreth Parisit (RATP), hekurudhat SNCF, aviokompania Air France, firmat si Renault, policët, stafi mjekësorë, studentët, të punësuarit në postë, avokatë, taksistë, vozitës të ndihmës së shpejtë, dhe të tjerë.

Përndryshe, qytetarët francez kanë ngritur zërin e tyre kundër reformës së sistemit pensional, e cila parasheh krijimin e një sistemi universal, apo largimin e dallimeve ndërmjet pensionimit të zyrtarëve dhe punëtorëve, si dhe privilegjeve që aktualisht i gëzojnë. Kjo reformë po ashtu parasheh që pragu i pensionimit të rritet nga 62 vjet aktualisht, në 64 vite.

Francezët njihen si një komb që shpreh kërkesat dhe kundërshtimet e tij përmes grevave dhe protestave, dhe ky vend ka qenë më parë skenë e grevave masive. Një nga këto u zhvillua në vitin 1995, zgjati tre javë dhe vendi pësoi një kolaps të plotë. Greva e sotme besohet të jetë më e madhja që nga 1995, dhe në të njëjtën kohë një nga më të mëdhatë në historinë e vendit. /A. Agency/