Botë

Protesta të dhunshme në Bejrut, dhjetëra të lënduar

Policia dhe protestuesit antiqeveritar janë përleshur në Bejrut, duke lënë dhjetëra njerëz të plagosur.

Protestuesit hodhën shishe dhe fishekzjarrë ndaj policisë, të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji. Shërbimet mjekësore thanë që kishin trajtuar 46 persona të lënduar, ndërsa  14 të tjerë janë hospitalizuar.

Ndërkohë, ministri libanez i punëve të brendshme, Raya el-Hassan urdhëroi hetime në lidhje me përgjigjen e ashpër të policisë ndaj protestuesve, me ç’rast  dhjetëra persona mbetën të plagosur.

Protestat kundër keqmenaxhimit ekonomik filluan në tetor.

Përplasjet e fundit të dhunshme janë më të këqijat që nga fillimi i protestave. Ato shkaktuan dorëheqjen e kryeministrit, Saad al-Hariri, megjithatë, bisedimet për krijimin e një qeverie të re janë bllokuar.

Të hënën, parlamenti libanez do të shqyrtojë se kë të emërojë kryeministër, me ç’rast pritet që Hariri të kthehet në këtë post.

Diala Haidar, nga grupi i të drejtave të njeriut, Amnesty International, tha se forcat e sigurisë përdorën forcë të tepruar për të shpërndarë një protestë jashtëzakonisht paqësore, duke shtuar se ‘kjo vetëm dërgon një mesazh të qartë se forcat e sigurisë janë mbi ligjin dhe do të ndërmarrin çfarëdo mase për t’i dhënë fund protestave’.

Protestat kanë qenë më të mëdhatë që janë parë në Liban për më shumë se një dekadë. Ata kanë mbledhur bashkë njerëz që tejkalojnë ndasitë sektare, një fenomen i rrallë që nga përfundimi i luftës civile 1975-1990, dhe kanë mobilizuar njerëz nga të gjithë sektorët e shoqërisë.

Protestuesit janë të zemëruar për dështimin e udhëheqësve të tyre për të adresuar ekonominë në stagnim, rritjen e çmimeve, papunësinë e lartë dhe korrupsionin.

Kërkesat e protestuesve përfshijnë përfundimin e korrupsionit të qeverisë dhe rregullimin e sistemit politik dhe formimin e një kabineti të pavarur, jo sektar.