Jo më kot konsiderohet si një prej lojtarëve më të mirë të botës. “Ylli” brazilian, Vinicius Junior e tregoi edhe një herë në finalen e madhe të “Wembley”, se është një prej lojtarëve më të mirë të “Galaktikëve” të Real Madrid, teksa ishte protagonisti absolut në golin e dytë të skuadrës së tij, gol që siguroi përfundimisht edhe titullin e 15-të, të UFEA Champions League.
E tillë performancë i siguroi brazilianit një tjetër trofe, atë të “Lojtarit të Sezonit”, trofe të cilin e fiton për herë të parë në karrierën e tij, pavarësisht se prej tre sezonesh është pjesë e pandarë e formacionit më të mirë të këtij kompeticioni.
Me 6 gola dhe 5 asistime për shokët e tij të skuadrës, në 10 ndeshjet e zhvilluara, Vinicius pason kështu spanjollin Rodri, i cili siguroi çmimin individual pasi shënoi në finalen e vitit të shkuar. Ndërkaq, Jude Bellingham siguroi çmimi si lojtari më i mirë i ri i turneut dhe pason kështu “fantazistin”, Khvicha Kvaratskhelia të Napoli.