Lajme

Prokuroria Speciale: Vazhdon mbledhja e provave për sulmin në Zubin Potok

By GAZETA SCANNER

December 11, 2024

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke vazhduar hetimet dhe mbledhja provave ndaj rastit të sulmit të 29 nëntorit në kanalin e ujit në Zubin Potok.

Udhëheqësja e zyrës për komunikim publik nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridonë Kozmaqi, tha për rtv21 se dy persona gjendet në mas paraburgimi për shkak të dyshimin për përfshirje në këtë sulm.

“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur gjendet në fazën e hetimeve, mbledhjen dhe analizimin e provave në Prokurorinë Speciale. Deri tani kemi dy persona, të cilët gjenden në masën e paraburgimit. Në këtë fazë të hetimeve ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, tha Kozmaqi për rtv21.

Të pandehurit dyshohen për veprat penale Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, Kryerja e veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje. Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) kishte njoftuar se lidhur me sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, ishin shoqëruar në Polici 10 të dyshuar. Prej tyre, D.V., dhe D.M., u ndaluan, ku të parit iu caktua masa e paraburgimit, ndërsa i dyti është liruar në procedurë të rregullt. Kurse, më 1 dhjetor u ndalua edhe një i dyshuar. Po ashtu, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, se më 30.11.2024, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera. Bashkimi Evropian e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin e 29 nëntorit në Zubin Potok.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë për rtv21 se hetimet në lidhje me sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike Ibër Lepenc janë duke u zhvilluar nga institucionet e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, tha se për hetimet e sulmit në Zubin Potok janë në komunikim edhe me ndërkombëtarët.

“Jemi në komunikimin të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne mirëpresimin mbështetjen e ofruar nga ata për hetim të plotë të sulmit të 29 nëntorit. Policia jonë ka partneritete me shtetet perëndimore demokratike dhe në hetimet që bën sigurisht se do të mund të ndihmohet edhe prej tyre, por këto janë çështje të ekspertizës teknike”, tha Kryeziu