Prokuroria e Spanjës njoftoi të premten se ka paraqitur një ankesë në Gjykatën e Lartë kundër presidentit të pezulluar të Federatës së Futbollit, Luis Rubiales për sulm seksual dhe kërcënim për puthjen në buzë, pa pëlqimin e saj, të lojtares Jenni Hermoso.
Vendimi i prokurores Marta Durantez Gil vjen tre ditë pasi futbllistja Hermoso bëri një kallëzim penal. Tanimë i takon gjykatës të vendosë për nisjen e një hetimi zyrtar ndaj tij.
Gjatë dëshmisë së saj para prokurorëve, lojtarja Hermoso tha se ajo dhe të afërm të saj ishin përballur me trysni nga zoti Rubiales dhe “rrethi i tij profesional” për të thënë se ajo “e justifikonte dhe e miratonte atë që ndodhi”, tha zyra e prokurorisë në një deklaratë.
Si rezultat, prokuroria shtoi në ankesë edhe aktin e kërcënimit nga Rubiales, thuhet në dokument.
Në 22 gusht, gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve, pasi Spanja fitoi Kupën e Botës së futbollit për femra, zoti Rubiales puthi lojtaren spanjolle Jenni Hermoso në buzë pa lejen e saj.
Nëse ai gjendet fajtor për sulm seksual, mund të përballet me dënim me gjobë ose burgim nga një deri në 4 vjet. Zoti Rubiales ka këmbëngulur se puthja me lojtaren Hermoso ka qenë me pëlqimin e saj./VOA/