Lajme

Prokuroria e Tiranës deklarohet për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së

By GAZETA SCANNER 1

July 31, 2023

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Dritan Goxhaj, është arrestuar në Tiranë me urdhër të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Lidhur me këtë rast, është deklaruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

“Përmes një letër porosie, autoritetet kosovare informuan palën shqiptare se ndaj tij ka nisur një procedim penal, për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë përcjell Klankosova.

Tutje organi i akuzës njofton se arrestimi i Goxhajt u bë me qëllim të ekstradimit dhe transferimit të tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta (‘shteti prites’) Hagë.

“Arrestimi i Dritan Goxhajt u bë me vendim të Gjykatës së Tiranës e cila më 20 korrik 2023 kishte caktuar masën e ”sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimin drejt Hagës”, thuhet në njoftim.

“Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta (‘shteti prites’” thuhet në njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Tiranës.

Gjithasht ndaj 45 vjeçarit, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, ka pasur dhe autorizim për kontrollin e banesës si dhe sekuestrimin e materiale të vlefshme për hetimin.

Dritan Goxhaj pritet të ekstradohet në javët në vijim për në Republikën e Kosovës, thuhet ndër të tjera në komunikatë.