Duke paraqitur pjesë të provave të aktakuzës, Prokurori më tej paraqiti disa vendime, që sipas organit të akuzës, sqarojnë se janë kryer vrasje nga UÇK-ja të ‘kolaboracionistëve”.
Në një komunikatë që sipas prokurorit është gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, aty shkruan se “janë marrë masa ndaj disa kolaboracionistëve”.
Prokurori tha se ‘kolaboracionistët’ nuk ishin vetëm personat që u jepnin informacione serbëve, por kishte përdorim më të gjërë edhe ndaj atyre që nuk pajtoheshin me ta dhe veprimet e tyre.
“Me fjalë të tjera të kundërshtoje taktikat e UÇK-së, do të ishte shënjestër që të vritesh”, konkludoi prokurori, duke u bazuar në dokumentet që paraqiti.
Më tej ai paraqiti edhe disa komunikata të tjera të Shtabit të Përgjithshëm, sikurse ajo me numër 27, për “dhënien e dënimit të merituar, për të gjithë ata që nuk mbështesin luftën e UÇK-së”.
Prokurori paraqiti një komunikatë të Shtabit të Përgjithshëm ku njoftonte për atentat ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës.
Një komunikatë tjetër ajo me numër 49, sipas prokurorit, vinte në shënjestër ata që punojnë për okupatorin.
“Termet tradhëtar e kolaboracionist, përfshijnë personat që devijonin nga ato që promovonte UÇK-ja”, sqaroi prokurori.
Ai tha se kritikat kundër taktikës së UÇK-së dhe mbështetjes që kundërshtarët politik i jepnin mbështetje autonomisë së Kosovës e jo pavarësisë, cilësoheshin tradhëti dhe kundër politikës së UÇK-së.
Prokurori paraqiti edhe një deklaratë politike numër 7 të UÇK-së, ku pasi lexoi disa citate, tha se çdo pajtim politik jo sipas UÇK-së, do të vihej në shënjestër.
Në komunikatën 51 të UÇK-së, prokurori lexoi paragrafë për “luftën speciale’ që sipas tij, vijoi të ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm.
Prokurori tha se provat do të tregojnë se operacionet kundër ‘kolaboracionistëve’ kanë ndodhur edhe pse në disa raste janë zmadhuar.
Ai tha se Rexhep Selimi ka konfirmuar se këto sulme kanë ndodhur sikurse ai kundër rektorit të UP-së.
“Pastaj Krasniqi e ka pohuar se sulmet kanë ndodhur vërtetë”, tha ai, duke shtuar se gjatë intervistimit, disa nga të akuzuarit kanë thënë se komunikatat kanë qenë propagandë.
Prokurori tha se në deklaratën e tij, Hashim Thaçi është shprehur se Shtabi i Përgjithshëm komunikonte nëpërmjet komunikatave.
“Komunikatat përdorëshin për komunikim me masën”, tha prokurori. E madje sipas organit të akuzës, në disa raste, Shtabi i Përgjithshëm edhe ka përgënjështruar komunikata.
Prokurori nxori një intervistë televizive ku shihet Rexhep Selimi duke thënë se ishte Hashim Thaçi ai që e kishte lëshuar komunikatën numër 59.
“Selimi e ka thënë të njëjtën edhe në intervistë para ZPS-së”, tha prokurori. Sipas tij, Thaçi e ka mohuar, por vetë të akuzuarit e nxjerin zbuluar në këtë pikë.