Retro

Projekti njëminutësh me pamjet madhështore të bukurive të Kosovës

I pasionuari pas fotografisë së botës së egër e të peizazhit të vendit tonë, Fitim Sopjani, ka ndarë më ndjekësit e tij një përmbledhje të vendeve magjepsëse të Kosovës.

Videoja “Mirë se vini në Kosovë”, vetëm për 24 orë u klikua më shumë se 100 mijë herë.

”Ideja e shpërndarjes së kësaj videoje lindi pas publikimit disa muaj më parë të një tjetre, pasi nuk munda t’i fus të gjitha pamjet më të mira në një minutë”, ka thënë Sopjani për Klankosova.tv.

Nën tingujt e çiftelisë të instrumentistit Fatmir Makolli në sfond, sipas tij, këto pamje magjepsëse, duhen  të shpërndahen sa më shumë e sidomos nga diaspora që në këtë mënyrë ta sheh e gjithë bota se sa i bukur është vendi ynë.

Duke qenë që në çdo stinë të vitit, Kosova ofron bukuri unike që mahnit dashamirët e natyrës, fotografi ka treguar se ju deshën më shumë se një vit e gjysmë për realizimin e këtij projekti.

”Vendi që më ka lënë më së shumti përshtypje janë majat e maleve të Sharrit”, shton tutje ai, duke treguar edhe për vështirësitë që i ka hasur.

”Pikërisht kur isha i vetëm në këto male, aty ka qenë rreziku nga orteku dhe fryma e madhe ku në një moment ndihesh i rrezikuar, por në fund vendos që të mos kthehesh vetëm e vetëm për t’i shijuar ato pamje”, shprehet ai.

Në videon e publikuar, Fitimi shihet i vetëm. E për këtë ai e ka një arsye pasi mendon që njerëzit e shumtë e humbin hijeshinë e idesë për fokus të veçantë të bukurive natyrore.

Ai ka rrëfyer që momenti kulminant i pasionit të tij ndaj fotografisë e videos ka qenë viti 2019.

”Momenti më i rëndësishëm i imi ka qenë kur e pata fotografuar vidrën apo lundërzën, i pari në trojet shqiptare në liqenin e Badovcit e madje pata realizuar edhe dokumentar për të. E nëse dëshiron të jesh i veçantë duhesh edhe të bësh gjëra që të veçojnë nga të tjerët”, thotë ai.

”Mendoj të bëj një kombinim Shqipëri-Kosovë”, thotë ai ndërsa bën thirrje që ta përcjellin atë dhe idetë e tij të ndahen sa më shumë me njëri-tjetrin përmes rrjeteve sociale.

Këtu mund ta shihni vidon: