10.1 C
New York
Wednesday, April 24, 2024

Buy now

Programet televizive, radio e rrjete sociale të fokusohen te temat me karakter edukativ

- Advertisement -

Shkruan: Agron Hoti

Të nderuara dhe shumë të respektuara media,

Duke qenë se jemi shoqëri e mbijetuar nga asi dhune e terrori të pandërprerë shekujsh ndaj nesh si komb sa s’ka laps e as që ka për të pasur ndonjëherë një të tillë për t’i përshkruar, atëherë sot, sepse nesër do të jetë tepër vonë, duhet të fillojmë menjëherë të fillojmë me programe televizive, radio e rrjete sociale me karakter edukativ masash të gjera popullore ku temat sociale do të duhej të mbizotëronin. E kanë bërë shumë para nesh, prandaj s’kemi ç’presim më.

Duhet të fillojmë të shtjellojmë tema të ndryshme sociale me interes për publikun e për të cilat kurrë askush nuk flet. Duhet të flasim për tema nga më të thjeshtat p.sh. si duhet të sillemi në shtëpi, rrugë e shoqëri e deri te më të rëndat si dhuna ndaj fëmijëve, grave, gjakmarrja, etj.

Ka me qindra tema sociale, të cilat kemi nevojë t’i shtjellojmë, sepse problemet sociale i kemi të shtresuara dhe të pashkapurisura kurrë. Nuk është naive e as e turpshme të flasësh për sjellje në shtëpi, në vende publike e në shoqëri. Shikoni japonezët se si pastrojnë stadiumin dhe vendet publike ku ata mblidhen dhe festojnë. Për këto tema duhet të flitet sa më shpesh aq më mirë. Nëse institucionet publike dhe fetare nuk kanë qenë në gjendje që t’ia arrijnë qëllimit, atëherë pse mos ta rrisin presionin mediat sikurse në çdo vend normal në botë.

Ju lutem reduktoni debatet politike të kota, sepse jemi duke e ç’mendur e ç’orientuar qytetarin me gjuhë të pagjuhë. Bëni anketa ju lutem e binduni se sa të lënduar janë qytetarët nga gjuha e pagjuhë nëpër debate televizive. Një vend me popullsi të re siç ende jemi, ka nevojë për tema që ngjallin entuziazëm, pasion e shpresë, e jo të tilla që mbjellin kob, zi e demoralizim masash të gjera popullore.

Si ka mundësi që rilindasit shqiptarë – edhe pse kishin jetuar në një ndër epokat më të errëtat nëpër të cilat po kalonte populli shqiptar i rrezikuar me zhdukje totale – megjithatë, pavarësisht vështirësive titanike, kishin ngjallur entuziazëm e shpresë mes shqiptarëve dhe kjo pavarësisht që s’kishin as shtet e institucione shqiptare. Ndërkohë që ne sot – edhe pse jetojmë me vitdrite më mirë se ata, bile duke pasur dy shtete shqiptare – mbjellim për çdo ditë kob e zi duke filluar nga politika e deri te qytetari duke e nxitur kështu braktisjen e frikshme të trojeve shqiptare, për të cilën sakrifikuam që prej se lindëm në këto troje. E kjo kob-zi-mbjellje e demoralizim masash po çon ujë te armiqtë tanë, të cilët këto troje i duan pa shqiptarë.

E kaluara e rëndë e shoqëruar me kob-zi-mbjelljen dhe demoralizimin që po ndodh çdo ditë e më shumë janë duke e vrarë përditshmërinë, janë duke e vrarë shpresën dhe vetë të ardhmen e këtyre tokave të lara me gjak. Kur kjo vazhdon, atëherë dhuna në shoqëri është e pashmangshme dhe rastet makabre të vrasjeve e turturave të ndryshme vetëm sa do të mund të rriten.

Prandaj, edhe njëherë, ri-organizoni skemat programore, sepse një fjalë e mirë në media përbën një shpresë më shumë për të jetuar në këto troje. Mos të vazhdojmë ta mallkojmë historinë, sepse ajo, deshëm apo nuk deshëm, nuk kthehet më, por të gjejmë alternativa për t’u shëruar nga traumat e makthi i së kaluarës duke projektuar të ardhme dhe duke ngjallur shpresë.

Ju faleminderit paraprakisht për mirëkuptimin tuaj!

Me respekt,
A.H.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit