Lajme

Procesi pritet të zgjasë, me sa vite burgim mund të dënohen terroristët e Banjskës?

By GAZETA SCANNER

October 01, 2024

Procesi gjyqësor në rastin “Banjska” nisi javën e kaluar me seancën e parë të shqyrtimit fillestar e cila u ndërpre me kërkesë të avokatëve mbrojtës të tre të pandehurve që janë në paraburgim nga grupi prej 45 personash të akuzuar.

Juristët e vlerësojnë si një rast kompleks për shumë faktorë por që besojnë se gjykata do ta administrojë me seriozitet të lartë. Nëse gjithçka shkon siç duhet, procesi mund të mbyllet pas dy vitesh.

“Kompleks natyrisht që e bën edhe fakti që prej 45 të pandehurve, vetëm 3 janë në masën e paraburgimit, ndërsa pjesa tjetër vazhdojnë ta përdorin fqinjin tonë si strehë, e natyrisht që sigurimi i prezencës së të pandehurve të cilët aktualisht ndodhen në arrati do të jetë një prej sfidave”, tha avokati Ardian Bajraktari, shkruan A2.

Kërkesa e vazhdueshme e Kosovës që 42 të pandehurit që besohet se janë në Serbi të ekstradohen nuk pritet të merret parasysh.

“E dimë që Milan Radoiçiç ka dal edhe përmes avokatit të tij e ka pranuar përgjegjësinë që i njëjti e ka organizuar sulmin terrorist dhe nuk kemi ndonjë veprim konkret nga ana e Serbisë që e njëjta as nuk ka shqyrtuar ndonjë masë të sigurisë ndaj të njëjtit, as nuk i ka shqiptuar masën e paraburgimit e lëre më të ekstradojë të njëjtin në Republikën e Kosovës”, u shpreh Amer Alija, avokat, shkruan A2 CNN.

Gjyqtari i rastit, Arben Hoti, vendosi të veçojë procedurën ndaj Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviç dhe Blagoje Spasojeviq, tre të pandehurve që janë në paraburgim ndërsa do të kërkojë mendim tek Supremja nëse 43 të tjerët të mund të gjykohen në mungesë.

“Ligji pak është i paqartë, edhe ministrja e Drejtësisë kur ka hyrë në fuqi ka thënë se ky ligj vlen për të gjitha veprat penale, të gjitha veprat penale mund të gjykohen në mungesë, tanimë palët kanë konfuzitet me këtë interpretim dhe po presin që shkalla e tretë të heq dilemat që shkalla e parë të mos bëjë gabime, qoftë ligjore, apo procedurale”, tha Alija.

Të akuzuarit në rastin e Banjskës kanë vepra të rënda penale për të cilat rrezikojnë edhe burgim të përjetshëm.

“Për vepra penale të terrorizmit ndëshkueshmëria kur kemi e pasojë vdekjen më e pakta 15 vjet por mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm, pastaj edhe çështja e veprës penale e terrorizmit është jo më pak se 10 vjet, pastaj kemi veprën penale të cenimit të rendit kushtetues e cila po ashtu kur kemi pasojë vdekjen mund të shkojë edhe me burgim të përjetshëm, sa i përket çështjes së veprës penale të pastrimit të parave mund të shkojë nga 5 deri në 15 vite si dhe me dënim me gjobë deri më 500 mijë euro”, u shpreh Bajraktari.