Botë

Priten shpërthime tjera të vullkanit në Zelandën e re

Ekipet shpëtimtare përsëri janë detyruar t’i shtyjnë përpjekjet për të arritur White Island, një ishull në Zelandën e Re, për t’i marrë trupat e viktimave që besohet të kenë humbur jetën pas shpërthimit të vullkanit. Ekspertët besojnë se ekziston një mundësi reale e një shpërthimi masiv brenda 24 orësh.

Vullkanologu Graham Leonard, tha se ekziston një shans 40-60 për qind që brenda 24 orëve të ardhshme vullkani të shpërthej përsëri në këtë ishull. Shpërthimi fillestar goditi ishullin të hënën, kur disa njerëz u shpëtuan nga ekipet, ndërsa autoritetet thanë që së paku nëntë njerëz kanë mbetur në aty dhe besohet se janë të vdekur. Të mërkurën, autoritetet bënë publike një listë me emra të viktimave të supozuara, shtatë nga ta nga Australia dhe dy të tjerë nga Zelanda e Re.

Rrezik potencial për ekipet shpëtimtare po ashtu paraqet edhe gazi helmues i liruar pas shpërthimit.

Në kohën e shpërthimit fillestar, në ishull gjendeshin 47 turistë nga Australia, Zelanda e Re, Kina, Gjermania, Malejzia, Britania e Madhe dhe SHBA-të të cilit ishin duke vizituar kraterin e vullkanit. Së paku 30 prej tyre janë dërguar në spitale lokale, dhe shumica prej tyre kishin djegie në së paku 30 për qind të trupit.

White Island është një pikë turistike atraktive me mbi 10,000 vizitorë në vit.