Lajme

Prezantohet programi inovativ për shërbyesit civilë nga Qeveria e Kosovës, GIZ dhe ICK

By GAZETA SCANNER 1

April 01, 2022

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Innovation Centre Kosovo (ICK), do të ofrojnë programin e parë inovativ të këtij lloji për nëpunësit civil në Kosovë, duke synuar mbështetjen e ideve për shërbimet publike të cilat do të kontribuojnë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset. Ky program inovativ për shërbyesit civil u prezantua sot në zyrat e GIZ në Prishtinë, ngjarje në të cilën morën pjesë edhe Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Programi GOV4SAA (Qeveria për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit) do t’u mundësojë nëpunësve civil dhe pjesëmarrësve të tjerë të kalojnë në një mentalitet “startup”, përfshirë gjenerimin e ideve, ndërtimin e ekipeve, zhvillimin e prototipeve dhe financimin e shërbimeve/produkteve që rezultojnë nga programi. Ky program do të përfshijë disa aktivitete të ndryshme si: gara, punëtori, bashkëpunim ndër-institucional, trajnime, dizajn dhe zhvillim të produkteve & shërbimeve dhe prezantimin e tyre tek shfrytëzuesit e fundit – qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky program po ashtu siguron një grup ekspertësh dhe mentorësh, të cilët do të jenë në shërbim të pjesëmarrësve gjatë gjithë procesit.

Në fjalën hapëse, Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se qeveria është e fokusuar në realizimin e masave në kuadër të PKZMSA, e cila sot shënon dhe 6 vjetorin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe Agjendës për Reforma Evropiane, ERA II. Në kuadër të këtij projekti inovativ, shërbyesit civil kanë rol të rëndësishëm në fazat dhe proceset e rrugës drejt Bashkimit Evropian, duke qenë se hartojnë dhe zbatojnë koncept dokumentet, projektligjet, udhëzimet administrative, rregulloret, e të tjera akte ligjore dhe nënligjore. Gjithashtu, Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të GIZ dhe Qeverisë Gjermane për procesin e Integrimit Evropian.

Për më shumë, programi GOV4SAA synon promovimin e kulturës së sipërmarrjes në institucionet publike në kontekstin e integrimit në BE duke inkurajuar ide inovative dhe një qasje për zgjidhjen e problemeve ndaj reformave të MSA-së; Promovimin e ngritjes së kapaciteteve të institucioneve publike në zbatimin e reformave të MSA-së, nëpërmjet mentorimit dhe trajnimit të orientuar drejt praktikës; promovimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe palëve të tjera të interesuara në zbatimin e reformave të MSA-së, përmes produkteve dhe shërbimeve inovative në mbështetje të zbatimit të politikave.

Ky program bashkë-financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) përmes GIZ Kosova, me qëllim të mbështetjes së zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Me këtë rast Ambasadori Gjerman Jörn Rohde theksoi: “Ky program i rëndësishëm inovativ për nëpunësit civil kosovarë do t’i mbështesë ata në avancimin e reformave të nevojshme për Integrim Evropian në Kosovë. Nga këto reforma do të përfitojnë qytetarët kosovarë në jetën e tyre të përditshme. Ky program do të ofrojë inovacionin dhe mjetet digjitale të nevojshme për zbatimin e MSA-së në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.”

Thirrja për aplikim për të gjithë nëpunësit civil tashmë është e hapur dhe të gjitha informatat mund të gjinden këtu. Forma e aplikimit kërkon informacion në lidhje me identifikimin e problemit nga ana e shërbyesve civil, një përshkrim të shkurtër të idesë së produktit/shërbimit, zgjidhjet e mundshme për problemet dhe burimet e nevojshme. Idetë fituese do të përzgjidhen nga një juri profesionale, duke marrë parasysh disa kritere si: qasja inovative dhe ndërlidhja me zbatimin e MSA-së.