Ballina

Presidentja Osmani fton partitë për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, LDK i thotë “po” e para

By GAZETA SCANNER 1

July 27, 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.

Pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga presidentja e kanë konfirmuar nga LDK-ja.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë zëdhënësi Besian Mustafa.

Reporteri ka pyetur edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nëse do të shkojnë në takim të presidentja, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa nga PDK pritet që sot gjatë ditës të dalin me qëndrim, pasi sekretarja e partisë, Vlora Çitaku, do të mbajë një konferencë për media.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.

Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet në koalicion me Partinë “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani, e cila tash është Presidente e Republikës.

Para tre muajve, kryeministri Albin Kurti kishte ftuar partitë politike për një takim, ku ishte hapur edhe tema e zgjedhjeve. Aty kishte shkuar vetëm lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë muajit qershor. LDK dhe AAK nuk ishin pajtuar të shkonin në zgjedhje, duke shpërndarë Parlamentit, por kërkuan dorëheqjen e Qeverisë.