Botë

Presidenti Macron tentoi të pengojë ministrin britanik të bëhet sekretar i NATO-s

By GAZETA SCANNER 1

June 18, 2023

Pretendohet se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për shkak të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BE) “ka tentuar të pengojë që ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace të bëhet sekretari i ardhshëm i NATO-s”.

Sipas një artikulli në të përditshmen britanike “Daily Telegraph, zyrtarët francezë kanë njoftuar kolegët e tyre në NATO se “duan që sekretari i ardhshëm i organizatës të jetë një emër nga BE-ja”.

Një burim që ka folur për gazetën ka deklaruar se “Ai (Ben Wallace) nuk është nga një vend anëtar i BE-së. Shumë vende kryesisht Franca insistojnë që sekretari i ardhshëm të jetë nga një vend i BE-së”.

Kjo lëvizje është komentuar si një pjesë e përpjekjes së Francës për ta bërë të pavarur BE-në në aspektin ushtarak dhe më pak të varur nga Washingtoni për sigurinë e saj.

Norvegjezi Jens Stoltenberg i cili kryen detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që nga viti 2014 e deri më tani, pritet të dorëzojë detyrën e tij në shtator, por pretendohet se presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka kërkuar nga Stoltenberg zgjatjen e detyrës së tij.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wallace përmendet në mesin e pasuesve potencial të Stoltenbergut.

Wallace në një deklaratë më parë ka thënë se “(Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s) Gjithmonë kam thënë se kjo do të jetë një punë e mirë. Kjo është një punë që e dua. Por, e dua edhe punën që bëj aktualisht”. /Abc news/