Sport

Presidenti i FC Suhareka, Rrustem Aliaj: Kam besim se me Arsim Thaçin do t’i afrohemi Superligës

By GAZETA SCANNER 1

October 22, 2023

FC Suhareka 23, klub i themeluar muaj më parë pas fuzionimit me FC A&N, vlerësohet si një prej klubeve më të organizuara nga kategoria e dytë e futbollit kosovar.

Klubi në fjalë po synon inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar këtë sezon.

Udhëheqjen e klubit e morën disa biznesmenë të njohur, duke treguar që në start që klubi do të jetë i fuqishëm edhe financiarisht. Me përforcimet e bëra dhe me trajnerin e emëruar në atë kohë, Granit Begolli, Suhareka 23 e nisi mirë edhe aventurën në Ligën e Parë – Grupi A duke regjistruar pesë fitore në ndeshjet e parë, krahas dy humbjeve dhe një barazimi, për t’u renditur në pozitën e dytë dhe për të qenë brenda objektivit për inkuadrim në Superligë.

Megjithatë, klubi shkarkoi Begollin nga pozita e trajnerit, me arsyetimin që rezultatet nuk ishin të kënaqshme, ani pse diferenca me pozitën e parë ishte vetëm gjashtë pikë. Arsyetimi tjetër i drejtuesve të këtij klubi qëndroi te sjelljet e Begollit, veçanërisht në ndeshjen ndaj Trepçës ’89, për çka Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) inicioi procedurë disiplinore ndaj tij.

Mirëpo, vendimi për shkarkimin e Granit Begollit, që u vlerësua si “i ngutshëm”, duket se “trazoi ujërat” te ky klub. Vendin e trajnerit Begolli e zuri trajneri tjetër i njohur, Arsim Thaçi, i cili dikur kishte udhëhequr edhe skuadrat e mëdha kosovare si: Prishtina dhe Drita.

Tani nuk duket se gjithçka po ecën mirë për suharekasit. Skuadra nga Suhareka e nisi të shtunën zyrtarisht aventurën me trajnerin e ri, Arsim Thaçi, i cili debutoi me humbje në udhëtim ndaj Vëllaznimit (1:0).

Kjo humbje erdhi vetëm pak ditë pas humbjes në miqësoren ndaj Erzenit (3:2), që ishte edhe ndeshja e parë e futbollistëve të Suharekës në urdhrat e Thaçit.

“Gazeta Express” ka kontaktuar me presidentin e FC Suhareka 23, Rrustem Aliaj, i cili vlerëson se Thaçit duhet t’i jepet ende kohë.

“Ne kryesia ua kemi plotësuar kushtet për lojë lojtarëve. Tani, topi është në këmbët e tyre. Besoj që çdo ditë do të jenë më të mirë”, tha fillimisht Aliaj.

“Arsim Thaqi është trajner i mirë. Kam besim tek ai se do t’i afrohemi Superligës. Trajneri ka filluar punën që një javë dhe me kohë do ta bëjë shembull FC Suahrekën”, shtoi presidenti klubit suharekas, Rrustem Aliaj.

Suhareka 23 është e dyta në renditjen e Grupit A të Ligës së Parë, me 16 pikë të grumbulluara – gjashtë më pak se lideri, Dinamo. Skuadra nga Ferizaj ka momentalisht një ndeshje më pak, të cilën do ta zhvillojë të dielën në udhëtim ndaj Rilindja 1974.