Lajme

Premtonte banesa për çiftet e reja brenda mandatit, 2 muaj para zgjedhjeve Kurti hap tenderin për ndërtimin e tyre

By GAZETA SCANNER 1

November 29, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se të premtën, pra me 29 nëntor 2024, është hapur tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “për këtë është punuar nga fillimi i mandatit”, anise banesat nuk janë ndërtuar në asnjë prej komunave ku premtohej se do të ndodhë kjo.

“Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, ndërkaq shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë.

Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim.”ka shkruar mes tjerash.

Derisa kanë mbetur më pak se tre muaj prej kur do të mbahen zgjedhet parlamentare, Kurti premtonte se ky projekt do të përfundonte brenda mandatit të parë.

Ai deklaronte se “gjatë mandatit të parë, do t’ua mundojë banimin e përballueshëm 4 mijë familjareve”.

“Gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje. Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.”