Lajme

Premtimi i Jack Smith: Prokuroria e Hagës ende s’i ka gjetur të dyshuarit që i ‘vodhën’ dosjet dhe i dërguan në OVL-UÇK

By GAZETA SCANNER

December 21, 2024

Prokuroria e Specializuar në Hagë është bërë e zëshme karshi tentativave të pengimit të drejtësisë e ndikimit në dëshmitarë.

Me këtë qëllim, Prokuroria ia ngriti Hashim Thaçit aktakuzën e dytë, kësaj here me dyshim për pengim të drejtësisë.

Megjithatë, Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur ende t’i gjejë personat që i nxorën dokumentet e Prokurorisë dhe të njëjtat i sollën në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Në një përgjigje të shkurtër për Nacionalen, Prokuroria ka thënë vetëm se i hetojnë të gjithë ata që e pengojnë drejtësinë. Por, në rastin e dosjeve të cilat u publikuan nga Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, hetimi nuk ka pasur sukses.

“Prokurori i Specializuar ka bërë të qartë se Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë dhe të ndjekë penalisht këdo dhe të gjithë të përfshirë”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Ish-kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith, më 7 tetor 2021, kishte premtuar se hajdutët e dosjeve do të sillen para drejtësisë.

Këtë e kishte bërë në nisjen e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

“Të akuzuarit akuzohen për shpërndarje të paligjshme të këtyre dokumenteve dhe jo për vjedhje të tyre. Dhe për të qenë shumë i qartë, ne po hetojmë në mënyrë aktive vjedhjen e atyre dokumenteve në fjalë. Dhe mos bëni gabim, kur të grumbullojmë prova të mjaftueshme kundër individëve që e kanë bërë këtë, ata individë do të arrestohen dhe do të sillen në të njëjtën sallë gjyqi për t’u përballur me akuzat për krimet e tyre. Meqenëse ky është një hetim i veçantë, i vazhdueshëm dhe konfidencial, nuk do të përmend asnjë nga detajet në lidhje me të sot këtu apo përparimin e tij”, tha Jack Smith para më shumë se tri vitesh.

Por duket se këto kanë mbetur vetëm fjalë, pasi asnjë aktakuzë nuk është ngritur tash e tri vjet, për rrjedhjen e dokumenteve.

Për këtë rast ishin dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të cilat kishin publikuar dokumentet.

Më 18 maj 2022, Gucati dhe Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim.

Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë vendosi që të ulë dënimet për tre muaj, për ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Prokuroria e Specializuar ka argumentuar se me shqiptimin e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt është “vendosur drejtësi”.