Lajme

Pozhari: Osmani po jep sinjale të përafrimit me LDK-në

By GAZETA SCANNER 1

November 21, 2024

Analisti politik, Xhevdet Pozhari, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke treguar sinjale të përafrimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Pozhari këtë deklaratë e ka dhënë në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1 duke iu referuar adresimit vjetor të presidentes Osmani në Kuvend.

“Unë mendoj se është duke i treguar sinjalet  e përafrimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) gjë që ka qenë e qartë shumë kohë më parë”, është shprehur ai.

Pozhari ka shtuar se nuk do ta befasonte aspak kthimi i Osmanit në LDK pasi sipas tij ajo është ‘gatuar në atë shtëpi’.

“Osmani është pjesë e atij shtrati politik. Padrejtësia që i bëhet asaj në këtë rast është se thuhet që e braktisi LDK-në, e dëmtoi shtëpinë e saj , kjo nuk është e vërtetë se ata e kanë përjashtuar. Osmani është gatuar në atë shtëpi dhe nesër po të kthehet në LDK mua fare nuk do të më befasonte”, ka thënë ai.

Në adresimin e saj vjetor, Presidentja e vendit Vjosa Osmani, të enjten, ndër të tjera ka folur rreth diskutimeve të cilat i ka pas me kryeministrin Albin Kurti rreth Draftit të Asocacionit të Komunave me shumicë serbe.

Po ashtu, ajo ka folur edhe për ruajtjen e raporteve me miqtë dhe partnerët ndërkombëtar për çka ka thënë se rrezikimi apo luajtja bixhoz me raportet me miqtë cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës.