BotëKoronavirusi

Portugalia vaksinon 80 për qind të popullsisë

Portugalia ka vaksinuar plotësisht 80% të popullsisë së saj kundër koronavirusit, duke u bërë kështu  një nga shtetet më të vaksinuara në botë.

Autoritetet portugeze gradualisht po heqin shumicën e kufizimeve të COVID -19.

Portugalia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po udhëheqin botën pasi janë dy nga vendet që kanë një nga normat më të larta të vaksinimit.

Teksa ndodhej gjatë një vizite në një qendër vaksinimi pranë Lisbonës kreu i grupit të vaksinimit të Portugalisë, nën-Admirali Henrique de Gouveia e Melo i cili ka marrë vlerësime të shumta për një fushatë vaksinimi të shpejtë dhe suksesshme tha se qëllimi mbetet frenimi i virusit.

“Nuk jam aspak i shqetësuar nëse jemi vendi i parë i dytë apo i tretë. Çka unë dëshiroj është të kontrolloj virusin, të vaksinojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur në mënyrë që virusi të mos ketë hapësirë për të manovruar. Kur të arrijmë 85% mendoj se nuk mund të vaksinojmë më. Vetëm nëse fillojmë të vaksinojmë qentë, macet dhe shpendët “.

Ai tha se beteja kundër COVID-19 nuk ka përfunduar ende derisa të gjitha vendet, të pasura dhe të varfra, të kenë qasje në vaksina.

 “Unë nuk jam dakord me vaksinimin e tepërt në vendet e pasura dhe zero vaksinim në ato të varfra. S’jam dakord. S’mund të bie dakord sepse kjo nuk bie ndesh vetëm me moralin dhe etikën time, por edhe sepse mendoj se kjo nuk është strategjia më e mirë dhe një sjellje racionale”.

Në fillim të pandemisë vendi u përball me një rritje të frikshme të rasteve me koronavirus. Portugalia ka arritur të vaksinojë rreth 8.2 milionë njerëz nga më shumë se 10 milionë banorët e saj.

Pothuajse të gjithë të rriturit mbi 65 vjeç dhe gjysma e të rinjve të moshës 12-17 vjeç tani janë plotësisht të vaksinuar në Portugali.