Lajme

Politikani serb që u arrestua sot pasi fishkëlleu Kurtin në veri: Policia ishte korrekte, nuk pati dhunë

By GAZETA SCANNER

September 10, 2024

Nënkryetari i partisë së serbëve të Kosovës, “Demokracia Serbe”, Ivan Orlloviq, që u arrestua të martën në Mitrovicën Veriore pasi fishkëllu kryeministrin, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në këtë pjesë të vendit, ka thënë se nuk ka pasur dhunë nga Policia e Kosovës ndaj tij.

Ai ka shpejguar ngjarjen se si erdhi deri te arrestimi i tij.

“Unë jam arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa unë i kam rënë pipëzës dhe kjo është një shqetësim për ta. Kur iu afrova urës, policia ishte gjithandej, nuk lejoi një grup njerëzish të afroheshin te ura, kështu që u afrova dhe pyeta pse nuk po i linin. Disa njerëz u lejuan të hynin, por mua dhe disa të tjerëve na u refuzua hyrja. Policët nuk donin të flisnin serbisht. Pastaj nxora pipëzën, fillova të fishkëllej dhe më pas më arrestuan”, ka thënë Orlloviq për N1.

Orlloviq ka thënë se nuk ka pasur dhunë nga policët kur e dërguan në stacion duke shtuar ata ishin korrektë.

“Policët na çuan në stacionin në jug dhe aty e pashë Arsenijeviqin. Nuk folëm shumë, por mund ta shihni në video sesi sillen me të kur e arrestuan. Ka shumë sjellje të tilla, por jo të gjithë policët janë të tillë, ta pranojmë, por mjafton një sjellje e tillë për të shkaktuar një incident. Policët që na arrestuan kanë qenë korrektë me mua dhe nuk ka pasur dhunë, por edhe nuk ka pasur arsye, sepse nuk kam bërë asgjë të kundërligjshme”, tha nënpresidenti i partisë “Demokracia Serbe”.