Lajme

Policia dhe inspektorët e MASHT-it shkojnë tek çerdhja ku dyshohet se u rrah një trevjeçar, reagon ministrja Nagavci

By GAZETA SCANNER 1

September 19, 2023

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas pamjeve të publikuara në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë ku shihet një edukatore duke e tërhequr zvarrë një fëmijë.

Nagavci tha se pamjet e publikuara janë thellësisht shqetësuese teksa tha se e dënon dhunën e ushtruar ndaj të miturit në këtë institucion parashkollor.

“Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar”.

“Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, tha Nagavci.

Ajo bëri të ditur se Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojnë raportin, do të ndërmerren masat e menjëhershme.

“MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, shkroi Nagavci.