Lajme

Policët pa pensionim të parakohshëm, LVV thotë se nuk e votuan projektligjin vetëm pse u inicua nga opozita

By GAZETA SCANNER 1

July 01, 2023

Tre policë kufitarë që po patrullonin në Leposaviq, u kidnapuan nga forcat speciale të Serbisë.

Mosha e këtyre zyrtarëve ishte 55, 57 dhe 62-vjeç.

E vetëm dy javë para se të ndodhte kjo, në Kuvendin e Kosovës nuk u përkrah nga partia më e madhe parlamentare- Lëvizja Vetëvendosje, Projektligji për pensionim e parakohshëm të policëve.

Anëtari i Komisionit për Siguri nga ky subjekt, Dimal Basha, thotë se nuk e përkrahën këtë projektligj vetëm pse është nisur nga opozita.

Ai thotë se nga ekzekutivi është duke u përgatitur Ligji për të cilin, siç thotë ai, i rregullon të gjitha kategoritë dhe nuk do të ketë ndarje të tyre.

E iniciuesja e këtij projektligji, Ganimete Musliu vlerëson se i njëjti nuk u votua nga deputetët e pushtetit për inate politike.

Deputetja opozitare shton se nuk do të ndalen dhe se një ligj i tillë do të sillet sërish në Kuvend pasi që është i domosdoshëm për Policinë e Kosovës.

Zyrtarët policorë përpos këtij problemi, kërkesë të vazhdueshme e kanë edhe sigurimin shëndetësor dhe jetësor të tyre.

Madje, pakënaqësi kanë edhe me Ligjin e Pagave pasi që tash e katër muaj nuk po u paguhen shtesat për rrezikshmëri.