Janë gjenerata e fundit që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Mirëpo, të njëjtit ani pse kanë filluar të dalin në teren, u mungojnë disa paisje të cilat janë esenciale, si spreji, radiolidhja, shkopinjtë e gomës e me raste edhe arma.
Kjo i është thënë televizionit nga disa zyrtarë policorë nga të kësaj gjenerate.
Për këtë çështje, TV Dukagjini dërgoi pyetje tek Ministria e Punëve të Brendshme, por nga ky institucion, thanë se informatat për këtë duhet të merren nga Policia e Kosovës.
E këta të fundit nuk kthyen përgjigje gjatë kësaj të enjte.
Mungesa e pajisjeve për disa zyrtarëve, rezulton se nuk është problem vetëm i gjeneratës së fundit të policisë, asaj të 60tës.
Në një raport nga inspektimi i kryer nga Inspektorati Policor i Kosovës, me titull “Vlerësimi i protuberancës së Stacionit Policor të Prishtinës – Qendër”, rezulton se edhe pjesëtarë të gjeneratave paraprake, kanë mungesa të pajisjeve.
“Sipas një inspektimi të realizuar nga menaxhmenti i Stacionit në muajin janar të këtij viti, nga numri prej 141 zyrtarëve të inspektuar, me sprej nuk kanë qenë të pajisur zyrtarët policor të gjeneratës 57 dhe 58, 5 (pesë) zyrtarë policor nuk kanë pasur jelekë anti-plumb, 3 të tjerë nuk kanë pasur bateri për ndriçim, 38 nuk kanë pasur radio lidhje, kurse nuk janë raportuar mungesa të prangave dhe shufrave metalike”, thuhet në raport.
Mungesën e tyre e sheh goxha shqetësuese ish zv.ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.
“Mungesa e tyre përveç që produktivitetin, dhe efikasitetin e punës natyrshëm që mund të rrezikoj edhe vet jetën e zyrtarëve policor por edhe nuk do të jenë efikas edhe në mbrojtjën e jetës së qytetarëve”, u shpreh Hoxha.
Hoxha shton se policia duhet të sigurohet që me diplomimin e policëve të kenë edhe mjetët e nevojshme menjëherë.
“Në momentin kur diplomojnë dhe fitojnë autorizimet e plota policore, këta punojnës të policisë të pajisën 100% me të gjitha pasjisjet e nevojshme dhe për të ushtruar kompetencat e plota dhe punët që i takojnë një punonjësi të policisë”, vijoi ai.
Gjenerata e 60 e Policisë së Kosovës ende nuk ka mbushur një muaj nga diplomimi.