Sport

Pogba mund të kthehet në stërvitje, CAS ia redukton dënimin në vetëm 18 muaj

By GAZETA SCANNER 1

October 04, 2024

Ish-ylli i Francës, Paul Pogba, mund të fillojë së shpejti të luajë futboll. Kjo pasi CAS ia ka reduktuar dënimin nga katër vite në vetëm 18 muaj, siç raporton Daily Mail.

Mesfushori 31-vjeçar ishte dënuar fillimisht me katër vite ndalim si dhe një gjobë të majme për përdorim të substancave të palejuara në futboll dhe që atëherë mendohej se ky ishte fundi i karrierës së tij.

Tani ky dënim, raportohet të jetë reduktuar me apelimin në CAS dhe Pogba mund ë kthehet në stërvitje në janar, teksa mund të fillojë të luajë nga muaji mars.

Në momentin kur ishte dënuar, Pogba kishte thënë se gjithçka që kishte krijuar në futboll, ishte shkatërruar me atë vendim, ndonëse nuk pajtohej fare.

“Sot jam informuar për vendimin e Tribunale Nazionale Antidoping dhe besoj që është vendim i gabuar. Jam i trishtuar, i tronditur dhe me zemër të thyer, pasi gjithçka që kam ndërtuar në karrierën profesionale më është shkatërruar. Kur të jem i lirë nga kufizimet ligjore, historia e plotë do të bëhet e qartë, por unë kurrë nuk kam përdorur diçka me vetëdije apo qëllimisht ndonjë substancë të palejuar”, kishte thënë Pogba.

Siç thuhet në raportim, Pogba mund të kthehet të luajë për Juventusin në muajin mars të vitit 2025, pasi që është ende nën kontratë me Zonjën e Vjetër.